Flash News

E-TJERA

Viti i ri akademik, ministrja Kushi: Vendimi për mësim on-line aspak i lehtë

Viti i ri akademik, ministrja Kushi: Vendimi për mësim on-line aspak i

Për nisjen e viti të ri akademik ka reaguar edhe Ministrja e Arsimit Evis Kushi, e cila uroi studentët për vitin e ri akademik dhe tha se kjo situatë nuk duhet të na trembë, por të na japë forcë për të arritur maksimumin.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, ministrja Kushi shkruan se vendimi për mësimin on-line nuk ka qenë diçka e lehtë, por ishte një vendim i imponuar nga ecuria e shifrave me pandeminë.

Gjithashtu Kushi shkruan se çdo universitet ka gati metodën për “mësimit të kombinuar”, si “online”, ashtu edhe në auditore kur kjo të jetë e mundur, në respekt të plotë të masave të vendosura nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale.

Mesazhi i plotë:

Nesër nisim një vit akademik sfidues, i cili vjen në vazhdimësinë e vitit të kaluar që u mbyll me mjaft vështirësi për shkak të pandemisë COVID-19. Ndërkohë që sfidat vazhdojnë të jenë të shumta, duket që edhe ky vit do të jetë i pazakontë dhe aspak i lehtë, jo vetëm këtu por në të gjithë globin.

Në këtë kuadër, nga thellësia e zemrës dua t’ju uroj të gjithëve pa përjashtim një vit akademik sa më të mbarë e të suksesshëm!

Si Ministre e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, jam mëse e vetëdijshme për paqartësitë që krijon situata aktuale, por kjo nuk duhet të na trembë. Përkundrazi, duhet të na japë forcë, shumë qetësi e vendosmëri që edhe përgjatë këtij viti akademik të arrijmë maksimumin.

Komiteti i Ekspertëve ka propozuar së fundmi, që të paktën muajin e parë, mësimi të zhvillohet në distancë, pra “online”, në mënyrë që të frenohet përhapja e mëtejshme e virusit. Një vendim aspak i lehtë ky, i imponuar nga ecuria dhe dinamika e pandemisë, por që fatmirësisht i ka gjetur universitetet tona të përgatitura që më herët në mënyrë që mësimdhënia të nisë dhe të zhvillohet pa ndërprerje.

Nga takimet e realizuara kohët e fundit me drejtuesit e universiteteve, jam informuar që janë marrë të gjitha masat e nevojshme që të kemi një nisje optimale në këtë fillim-viti akademik. Më vjen mirë që çdo universitet ka tashmë gati metodën e tij specifike të “mësimit të kombinuar”, si “online”, ashtu edhe në auditore kur kjo të jetë e mundur, në respekt të plotë të masave të vendosura nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale.

Në fund, një lutje për të gjithë ju, që në asnjë moment të mos neglizhoni respektimin e masave anti-COVID. Kjo është e vetmja mënyrë që ne ta kapërcejmë sa më lehtë këtë periudhë dhe t’i rikthehemi sa më parë normalitetit që të gjithë dëshirojmë.

Suksese dhe shëndet të mirë për të gjithë

Të fundit