Flash News

E-TJERA

Nesër nis viti i ri akademik, studentët rikthehen në auditor mes protestave dhe bojkotit

Nesër nis viti i ri akademik, studentët rikthehen në auditor mes

Viti i ri akademik nis nesër me bojkot. Pedagogët njoftuan të premten se i qëndrojnë kërkesave të parashtruara qeverisë për rritje rroge dhe një arsim cilësor.

Sindikata e Punonjësve të Universiteteve të Shqipërisë njoftoi se ditën e hënë nga ora 08:00 deri në orën 10:00 do të bëhet prezantimi i studentëve të rinj në prezencën e pedagogëve. Ndërsa prej orës 10:00 deri në 11:00, pedagogët do të zhvillojnë protestë para çdo fakulteti.

Pedagogët kërkojnë nga qeveria rritje pagash 20-30%, rritjen e fondeve për financimin e kërkimeve shkencore, transparencë mbi buxhetin për universitetet publike, si dhe i kanë bërë thirrje qeverisë që tarifat e studentëve të kthehen në shërbim të tyre, dhe jo të përdoren për të paguar personelin.

Pedagogët i lanë afat qeverisë deri në fundjavë për t'iu përgjigjur kërkesave të tyre, por nga ana e Ministrisë së Arsimit nuk ka pasur asnjë reagim. Ministrja Evis Kushi i bëri thirrje pedagogëve dje gjatë diplomimit të studentëve të Universitetit të Sporteve, të ulen për të gjetur zgjidhje përmes dialogut. 

“Shpeshherë gjendemi përballë sfidave të vështira. Shpeshherë kemi debate me njëri-tjetrin. Shpeshherë kemi mosdakordësi. Por në vend që të konfrontohemi unë besoj që zgjidhja më e mirë është që ne të ulemi bashkërisht pikërisht me frymë konstruktive me frymë dialogu me frymë ndershmërie, dhe duke mirëkuptuar njëri-tjetrin. Duke mirëkuptuar kushtet reale dhe burimet që kemi në dispozicion”, tha Kushi.

Disa nga kërkesat e pedagogëve:

Rritja e pagave për pedagogët dhe stafin ndihmës

Rritja e financimit për kërkimin shkencor

Rivendosja e shtesave mbi pagë për ‘Dëshmëri shëndeti në punë’

Rritja e shtesës mbi pagën për vjetërsinë në punë

Rritja e pagesës së orëve të ngarkesës suplementare

Rivlerësimi i orës mësimore pasi ka zbritje prej 50% të pagesës së orës mësimore si rezultat i mosdiferencimit të orës mësimore të leksionit.

Rishikimin e tatimit prej 23% mbi pagesën e ngarkesës suplementare

Të pezullohet deri më 2026 zbatimi i pikës c) të paragrafit të 3, i Kreut III të VKM Nr.112, datë 23.2.2018 për kriteret e marrjes së titullit “Profesor”.

Të bëhet transparencë mbi buxhetin dhe të ardhurat e universitetet publike.

 

Të fundit