Flash News

E-TJERA

Viti i ri akademik pa studentë, degët drejt shkrirjes

Viti i ri akademik pa studentë, degët drejt shkrirjes

Sot nisi viti i ri akademik, por me numër të ulët studentësh dhe kuota të lira. Të paktën 45% e auditorëve në fakultete janë bosh.

Sipas të dhënave të Faktoje.al deri të premten, 8.775 mijë kuota nga universitetet publike ishin të lira nga 19.212 të miratuara në total. Numri i studentëve është ulur nga viti në vit, gjendje kjo që për qeverinë nuk duket ende alarmante.

Disa degë janë refuzuar nga studentët, ndërsa të tjera kanë shumë pak të tillë.

Konkretisht, në Shkencën Natyra Mjedisore janë regjistruar vetëm 2 studentë, ndërsa në Fizikë vetëm 5, duke i bërë ndër degët më pak të pëlqyera në Universitetin e Tiranës.

Referuar të dhënave nga U-Albania, sipas Faktoje.al, Universiteti i Mjekësisë vijon të jetë i zgjedhur nga shumica e studentëve, ku nga 1,624 që kishte gjithsej ka 146 kuota të lira.

Mjekësia e përgjithshme, farmacia dhe stomatologjia mbajnë kreun si degët më të zgjedhura nga studentët.

Alarmante është gjendja në universitetet e rretheve, ku ka një rënie rekord të studentëve.

Gjirokastra dhe Korça shënojnë numrin më të ulët të regjistrimeve. Në universitetin ‘Eqerem Çabej’ në Gjirokastër rezultojnë të regjistruar 195 studentë gjithsej nga 599 kuota fillestare. Universiteti “Fan S. Noli” në Korçë rezulton me 357 studentë të regjistruar për herë të parë këtë vit.

Të fundit