Flash News

E-TJERA

Vota e emigrantëve, Gjykata Kushtetuese ultimatum Kuvendit: E drejta e tyre u shkel më 25 prill, të garantohet brenda 1 viti

Vota e emigrantëve, Gjykata Kushtetuese ultimatum Kuvendit: E drejta e tyre

Gjykata Kushtetuese ka pranuar pjesërisht kërkesën e shoqatës “Diaspora për Shqipërinë e Lirë”, e cila ngriti padi, pasi më 25 prill  2021 emigrantët nuk votuan.

Sipas Gjykatës Kushtetuese, e drejta e emigrantëve për të votuar u shkel në zgjedhjet e fundit parlamentare , ndaj i ka kërkuar Kuvendit se duhet të garantojë ndryshimet ligjore për ta bërë këtë gjë të mundur brenda  një viti.

Kujtojmë se pak ditë para zgjedhjeve, Ministria e Shëndetësisë në 19 prill të vitit 2021, urdhëroi të hyjnë në karantinë dyjavore emigrantët që hynin në Shqipëri në atë periudhë për shkak të pandemisë së koronavirusit. 

Vendimi i Gjykatës Kushtetuese

Gjykata Kushtetuese e Republikës së Shqipërisë shqyrtoi në seancë plenare mbi bazë të dokumenteve kërkesën e Shoqatës “Diaspora për Shqipërinë e Lirë”, me objekt: “ Konstatimi i cenimit të së drejtës kushtetuese të votës së emigrantëve në zgjedhjet për Kuvendin e Shqipërisë më 25.04.2021. Deklarimi i Urdhrit nr. 219, datë 19.04.2021 “Për karantinimin e personave që vijnë në Republikën e Shqipërisë nga Republika e Maqedonisë së Veriut dhe Greqia” si i papajtueshëm me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë.”.

Gjykata Kushtetuese, në mbështetje të neneve 131, pika 1, shkronja “a” dhe 134, pika 1, shkronja “h”, të Kushtetutës, si dhe neneve 49, pika 3, shkronja “d”, 51/a, pika 1, shkronja “b” dhe 72 të ligjit nr. 8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, me shumicë votash ,

VENDOSI:

 Pranimin e pjesshëm të kërkesës.

 Konstatimin e cenimit të së drejtës kushtetuese të votës së emigrantëve, në zgjedhjet për Kuvendin, për shkak të boshllëkut ligjor.

 Detyrimin e Kuvendit për plotësimin e boshllëkut ligjor brenda një viti nga hyrja në fuqi e këtij vendimi.

 Pushimin e gjykimit lidhur me Urdhrin nr. 219, datë 19.04.2021 të Ministrisë së Shëndetësisë.

  Ky vendim është përfundimtar dhe hyn në fuqi ditën e botimit në Fletoren Zyrtare.

Vendimi përfundimtar do të shpallet i arsyetuar brenda afateve ligjore të parashikuara nga ligji nr. 8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, i ndryshuar dhe nga Rregullorja për procedurat gjyqësore të Gjykatës Kushtetuese.

 

Të fundit