Flash News

E-TJERA

Vrasja brutale e refugjatit shqiptar në Australi, 4 persona dënohen me burgim të përjetshëm

Vrasja brutale e refugjatit shqiptar në Australi, 4 persona dënohen me

Katër persona të shpallur dy herë fajtorë për vrasjen brutale të refugjatit shqiptar Urim Gjabri në veri të Adelaide janë dënuar sërish me burgim të përjetshëm, më shumë se shtatë vjet pas krimit, shkruajnë mediat vendase.

Të dënuarit janë Benjamin John Mitchell (39), Alfred Claude Rigney (52), Matt Bernard Tenhoopen (30) dhe Aaron Donald Carver (42). Ata u përballën me rigjykim vitin e kaluar pasi dënimet e tyre fillestare për vrasjen e Gjabrit në Para Vista, në tetor 2018, u rrëzuan nga High Court of Australia pas një apeli.

Pas rigjykimit, ata u shpallën sërish fajtorë dhe u dënuan përsëri me burgim të përjetshëm. Secili prej tyre ka paraqitur apel ndaj vendimit të fundit fajësues dhe aktualisht janë në pritje të vendimit përfundimtar.

Gjatë shpalljes së dënimit në Supreme Court of South Australia, gjyqtarja Julie McIntyre deklaroi se, megjithëse Gjabri ishte “pa dyshim i përfshirë në aktivitete të paligjshme” të lidhura me një kultivim hidroponik kanabisi në banesë, “ai nuk e meritonte të vdiste”.

Sipas saj, lakmia dhe dëshira e të pandehurve për ta grabitur kanabisin çuan në krim. Ajo theksoi se Gjabri ishte “një burrë i vogël, i paarmatosur, që përbënte pak rrezik” për grupin.

“Nuk kishte asnjë nevojë që ai të sulmohej kaq brutalisht për të vjedhur kanabisin,” tha gjyqtarja.

Sipas vendimit, Gjabri mori të paktën një goditje në kokë me një armë që i theu kafkën, përpara se të lihej i vetëm për një kohë të gjatë derisa ndërroi jetë. Ai nuk mundi të kërkonte ndihmë, pasi autorët i kishin marrë makinën dhe telefonin.

“Fakti që e latë të plagosur ndërsa u larguat me kanabisin dhe sendet e tij personale ishte mizor dhe tregoi shpërfillje të plotë për jetën njerëzore,” tha McIntyre.

Trupi i Gjabrit u gjet vetëm pas disa ditësh, ndërsa policia e trajtoi menjëherë rastin si vrasje.

Urim Gjabri ishte baba i tre fëmijëve dhe ishte zhvendosur në Australi për të punuar dhe për të siguruar të ardhura për bashkëshorten dhe fëmijët e tij, të cilët jetojnë në Shqipëri. Sipas gjykatës, vdekja e tij ka pasur pasoja shkatërruese emocionale dhe financiare për familjen.

Të fundit