Flash News

E-TJERA

Vrasja e biznesmenit Bujar Nasufi/ Doreza e djegur, pista më e fortë e hetimit

Vrasja e biznesmenit Bujar Nasufi/ Doreza e djegur, pista më e fortë e

Një dorezë gjysmë e djegur që dyshohet se u përdor nga autori i vrasjes së biznesmenit Bujar Nasufi, mbrëmjen e 12 janarit 2025 pranë zonës së “Pallatit me Shigjeta” në Tiranë, është shndërruar në provën më të fortë që hetuesit kanë në dorë për zbardhjen e kësaj ngjarjeje të rëndë kriminale.

Sipas BW, pas ekzekutimit të Nasufit, autori, i cili lëvizte me një motor, e dogji mjetin në një prej tuneleve të zonës së Kombinatit. Për shkak se kishte përdorur doreza gjatë aktit, në motor nuk u identifikuan gjurmë gishtash. Megjithatë, njëra prej dorezave, që nuk u dogj plotësisht, përmbante material biologjik nga i dyshuari, nga i cili është përftuar një profil ADN-je.

Ky profil tashmë është dërguar për krahasim në databazën e ADN-së të Interpolit, me shpresën se mund të përputhet me ndonjë person të mëparshëm të skeduar për krime të ngjashme. Paralelisht, me vendim gjykate, po kryhet edhe krahasimi i ADN-së me atë të nënës së dy vëllezërve nga Përmeti, të cilët kanë pasur konflikte me viktimën për shkak të një prone të kontestuar, e cila ishte kaluar në emër të Nasufit nga babai i tyre.

Të dy vëllezërit janë të skeduar nga autoritetet spanjolle për përfshirje në trafikun e kokainës, dhe po hetohen për një rol të mundshëm në organizimin e kësaj vrasjeje të mirëmenduar.

Bujar Nasufi u qëllua për vdekje në afërsi të banesës së tij, në momentin që po parkonte makinën, ndërsa bashkëshortja e tij ndodhej pranë. Autori u afrua me motor dhe e ekzekutoi me disa plumba, duke u larguar menjëherë nga vendngjarja.

Prokuroria është duke hetuar në disa pista, por shpresa kryesore për identifikimin e autorit të vrasjes mbetet prova e ADN-së së mbetur në dorezën e djegur.

Të fundit