Flash News

E-TJERA

Vrasja e biznesmenit në Elbasan, arrestohet ish-ortaku i Mondi Mëhallës, në pranga edhe roja i karburantit

Vrasja e biznesmenit në Elbasan, arrestohet ish-ortaku i Mondi

Dy persona janë arrestuar në lidhje me ekzekutimin e biznesmenit Edmond Hyka, i njohur si Mondi Mëhalla, i vrarë mbrëmjen e së dielës në Elbasan. Të ndaluarit janë ish-ortaku i viktimës, i dyshuar si autor i drejtpërdrejtë i vrasjes, si dhe roja i karburantit “Xhaxhi Oil”, i akuzuar për pengim të hetimeve.

Policia ka vijuar gjithashtu me shoqërimin e Naldi Gjinit, me origjinë nga Lezha, i cili u mor në pyetje një ditë më parë pasi është parë duke përdorur automjetin që dyshohet se u përdor nga ekzekutorët.

Autoritetet kanë shpallur në kërkim një tjetër person që dyshohet se ka bashkëpunuar në planifikimin dhe kryerjen e krimit.

Mjeti që u përdor nga autorët rezulton të ketë qenë në pronësi të kompanisë së viktimës, e cila ofronte makina me qira. Policia e Lezhës kreu kontrolle në banesën e Gjinit, ndërsa hetimet po përqendrohen në lëvizjet e tij ditët e fundit.

Ngjarja tragjike ndodhi në ambientet e karburantit “Xhaxhi Oil”, kur Mëhalla sapo kishte dalë nga një zyrë dhe po hipte në automjetin e tij “Range Rover”. Një person zbriti nga një makinë “Audi” dhe e qëlloi tre herë me armë zjarri, dy prej të cilëve e goditën në kokë, duke i shkaktuar vdekjen e menjëhershme.

Pas atentatit, autorët u larguan me shpejtësi drejt zonës së Librazhdit. Automjeti u gjet i djegur në fshatin Mirakë paraditen e së hënës, ku brenda tij u identifikua edhe një pistoletë “Beretta”, e dyshuar si arma e krimit.

Të fundit