Flash News

E-TJERA

Vrasja e Gentian Bejtjas, Prokuroria kërkon 23 vite burg për Ilir Beqarajn

Vrasja e Gentian Bejtjas, Prokuroria kërkon 23 vite burg për Ilir

Prokuroria e Tiranës ka kërkuar dënimin me 23 vite burg për shtetasin Ilir Beqaraj, i njohur gjithashtu si Brahimi ose Mançellari, i akuzuar për vrasjen e Gentjan Bejtjas, ngjarje kjo që ndodhi më 15 mars të vitit 2024 në fshatin Larushk të Fushë-Krujës.

Hetimet kanë zbuluar se disa persona të armatosur kanë kaluar rrethimin e jashtëm të banesës së Bejtjas dhe e kanë qëlluar disa herë, duke i shkaktuar vdekjen e menjëhershme. Pak minuta më pas, autorët kanë djegur një automjet tip Land Rover në fshatin Hasan, i përdorur për të ikur nga vendngjarja.

Sipas Prokurorisë, prova të ndryshme tregojnë se i pandehuri Beqaraj ishte shpesh në afërsi të vendit të ngjarjes, të dhënat e GPS-së të marrë nga automjeti i tij konfirmojnë lëvizjet e tij. Ekspertiza e ADN-së ka nxjerrë se automjeti tip Volkswagen Golf, përdorur nga autorët për t’u larguar pas djegies së Land Rover-it, përmbante prova gjenetike që lidhnin Beqarajn dhe dy persona të tjerë, të cilët dyshohet se kishin rol në ekzekutimin e ish-policit.

Prokuroria thekson se Beqaraj ka bashkëpunuar me autorët e tjerë dhe ka vepruar si ndihmës në këtë krim.

Gentjan Bejtja, i njohur në zonën e Fushë-Krujës, u ekzekutua me armë zjarri brenda oborrit të shtëpisë së tij, dyshohet se autorët kanë përdorur deri në katër automatikë kallashnikov për të kryer atentatin.

Të fundit