Flash News

E-TJERA

Vrasja e gjyqtarit, KLGJ i drejtohet Kuvendit dhe Qeverisë, kërkon masa emergjente në gjykata

Vrasja e gjyqtarit, KLGJ i drejtohet Kuvendit dhe Qeverisë, kërkon

Këshilli i Lartë Gjyqësor ka reaguar sërish lidhur me sigurinë në gjykata, duke bërë thirrje për ndërhyrje urgjente ndërinstitucionale dhe masa të menjëhershme për forcimin e sistemit të sigurisë gjyqësore në vend.

Përmes një shkrese zyrtare, KLGJ përsërit shqetësimin për mungesën e një reagimi të koordinuar institucional dhe mangësitë serioze në sigurinë e gjykatave, veçanërisht pas alarmit të ngritur pas vrasjes së gjyqtarit Astrit Kalaja.

KLGJ thekson se problematika e sigurisë në gjykata nuk mund të zgjidhet vetëm brenda kapaciteteve administrative të sistemit gjyqësor, pa një strukturë të integruar sigurie dhe pa mbështetje të drejtpërdrejtë nga organet ekzekutive dhe të sigurisë kombëtare.

Në këtë kuadër, Këshilli i Lartë Gjyqësor u kërkon institucioneve përgjegjëse ndërhyrje urgjente për zbatimin e disa masave, përfshirë vendosjen e Policisë së Shtetit në të gjitha gjykatat e vendit me prezencë të përhershme, personel të trajnuar dhe plane të dedikuara sigurie, si dhe rritjen e mbështetjes buxhetore dhe përmirësimin e infrastrukturës së sigurisë.

“Këshilli i Lartë Gjyqësor i kërkon institucioneve ndërhyrje urgjente për realizimin e këtyre masave: Vendosja e Policisë së Shtetit në të gjitha gjykatat e vendit, me prezencë të përhershme, personel të trajnuar dhe plan të dedikuar sigurie. Mbështetje buxhetore dhe përmirësim i infrastrukturës së sigurisë. Klasifikim i gjykatave si institucione të rëndësisë së veçantë.

Rishikim i kuadrit ligjor dhe nënligjor që rregullon sigurinë në gjykata, për të përcaktuar qartë kompetencat, përgjegjësitë dhe burimet financiare ndërinstitucionale. Rishikim i plotë i protokolleve të hyrjes dhe daljes në gjykata, përfshirë procedurat e kontrollit për palët, dëshmitarët dhe të pandehurit.

Këshilli i Lartë Gjyqësor u bën thirrje Kuvendit të Shqipërisë dhe Këshillit të Ministrave që, në bashkëpunim me Ministrinë e Brendshme, Ministrinë e Drejtësisë dhe Policinë e Shtetit, të hartojnë një Plan Kombëtar për Sigurinë në Gjykata, i cili të përcaktojë përgjegjësitë e secilit institucion, afatet e zbatimit, burimet financiare si dhe mekanizmat e kontrollit dhe raportimit. Ky plan duhet të përfundojë brenda një kohë sa më të shkurtër dhe të jetë bazë për ristrukturimin e plotë të sistemit të sigurisë në gjykata. Këshilli i Lartë Gjyqësor mbetet i gatshëm të bashkëpunojë ngushtë me të gjitha institucionet përkatëse dhe të kontribuojë me ekspertizën e tij në hartimin e këtij dokumenti strategjik”, thuhet në deklaratë.

Të fundit