Flash News

E-TJERA

Vrasja e Kozeta Teços, avokati i Selmanit: Klienti im nuk ka pranuar autorësinë

Vrasja e Kozeta Teços, avokati i Selmanit: Klienti im nuk ka pranuar

Pas vendimit të Gjykatës së Korçës për të lënë në burg Ilirjan Selmanin, 31-vjeçarin e dyshuar për vrasjen e Kozeta Teços në Pogradec, ka reaguar edhe avokati i tij mbrojtës.

Në një deklaratë për mediat, avokati shprehu ngushëllimet për familjen e viktimës dhe tha se i mbrojturi i tij nuk ka pranuar në asnjë moment autorësinë e krimit.

Fjala e avokatit:

Fillimisht dua të shpreh një ndjesë për viktimën, pavarësisht nëse është apo jo i mbrojtur nga unë autori i veprës penale, por si qytetar i Pogradecit i shpreh familjes ngushëllimet e mia për humbjen e saj.

I mbrojturi nga unë në asnjë moment nuk e ka pranuar autorësinë e kryerjes së veprës penale, as në polici, as para gjykatës dhe as gjatë procedurës së pyetjeve të bëra ndaj tij. Ka mbajtur një qëndrim që lidhet me personalitetin e tij, që është një djalë shumë i mirë dhe kurrsesi nuk mund të kryejë një krim kaq të rëndë.

Edhe faktin e bashkëjetesës me viktimën ai nuk e ka pranuar. Ai ka pranuar që ka pasur një njohje, një njohje në kuptimin e fjalës, pra si një njohje shoqërore apo çfarëdolloj njohjeje tjetër, por jo bashkëjetesë. Bashkëjetesa i referohet edhe ligjit dhe përcaktimeve të bëra në Kodin e Familjes se si është e ndërtuar bashkëjetesa, kurrsesi nuk jemi në rastin e një bashkëjetese.

Prokuroria ka paraqitur një sërë provash për të ruajtur konfidencialitetin e këtij hetimi. Ne nuk prononcohemi në lidhje me këto prova të garantuara nga ana e policisë deri në këto momente, por me bindje, ne si mbrojtje deklarojmë para jush që prova dhe dyshim të arsyeshëm të bazuar në prova për të mbrojturin prej meje si autor i kësaj vepre penale, nuk ka. Kjo është bindja jonë deri në këto momente.

Ai nuk ka pranuar në asnjë moment autorësinë e krimit të ngarkuar ndaj tij. Po kështu ka shprehur keqardhje për viktimën, duke qenë i shokuar në lidhje me lajmin që ka marrë për të.

Nuk mund të prononcohem për provat e garantuara deri në këto momente, pasi është një sekret hetimor që i përket Prokurorisë, Gjykatës dhe mbrojtjes.

Të fundit