Flash News

E-TJERA

Vrasja e Rayyan Alwan, familjarët nuk kërkojnë trupin, mund të varroset në Shqipëri

Vrasja e Rayyan Alwan, familjarët nuk kërkojnë trupin, mund

Rayyan Alwan, 24-vjeçarja palestineze e cila u vra tragjikisht nga babai i saj në një shtëpi me qira në Tiranë, mund të varroset në Shqipëri. Asnjë nga familjarët e saj nuk ka shprehur interes për të marrë trupin e pajetë për ta çuar në vendin e fundit.

Burime nga policia bëjnë me dije se të afërmit e vajzës janë njoftuar përmes oficerëve të kontaktit, por asnjë prej tyre nuk ka kërkuar të marrë trupin. Aktualisht, viktima ndodhet në morgun e Tiranës, dhe nëse nuk merret nga familjarët brenda afateve ligjore, ajo do të varroset në Tiranë.

Rayyan dhe babai i saj, Fadi Alwan, kishin mbërritur në Rinas më 19 shkurt dhe u vendosën në një banesë me qira në rrugën Gjon Muzaka. Sipas hetuesve, më 22 shkurt, Fadi Alwan vrau vajzën me disa goditje thike, pastaj u largua nga Shqipëria drejt Greqisë dhe më pas në Amsterdam. Dyshohet se ai mund të ketë udhëtuar në Liban dhe ende nuk është arrestuar.

Trupi i pajetë i Rayyan u gjet nga pronarja e banesës pesë ditë pas largimit të autorit. Hetimet fillestare kishin raportuar se bashkëshorti kishte vrarë gruan, por më vonë u zbulua se ishte babai i Rayyan që e kishte ekzekutuar. Fadi Alwan është shpallur një nga personat më të kërkuar për vrasje, ndërkohë që policia vazhdon kërkimet për kapjen e tij.

Të fundit