Flash News

E-TJERA

Vrasja e tri grave në Tiranë, Komisioni i Ligjeve kërkon informacion nga disa institucione: Si u lirua Dan Hutra?

Vrasja e tri grave në Tiranë, Komisioni i Ligjeve kërkon

Komisioni i Ligjeve i Kuvendit kërkon informacion nga institucionet publike lidhur me lirimin e Dan Hutrës, i cili akuzohet si autor i vrasjes së tri grave dhe plagosjes së tri të tjerave dy ditë më parë në Tiranë.

Kryetarja e Komisionit për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut e Kuvendit, Klotilda Bushka u është drejtuar disa institucioneve publike, duke iu kërkuar informacionet përkatëse me qëllim verifikimin paraprak të situatës.

Kryetarja e Komisionit të Ligjeve, znj. Bushka, i ka kërkuar Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, informacion mbi masat e marra për verifikimin e përgjegjësive të mundshme disiplinore të magjistratëve në prokurori e gjykata, ku janë shqyrtuar çështje ndaj autorit të krimeve.

Nga Ministria e Brendshme, Ministria e Drejtësisë, Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit dhe Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve është kërkuar informacion mbi zbatimin e ligjit nr. 62/2022 “Për Regjistrin Kombëtar të të Dënuarve për Krime Seksuale”.

Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe Ministrisë së Drejtësisë i kërkohet informacion mbi zbatimin e detyrimeve për krijimin e bazës së të dhënave mbi vendimet gjyqësore për raste të dhunës në familje dhe asaj me bazë gjinore, sipas përcaktimeve të Ligjit nr. 9669/2018 "Për masat ndaj dhunës në marrëdhëniet familjare", të ndryshuar.

Bashkisë Tiranë e Bashkisë Kamëz i kërkohet informacion nëse ka referim në mekanizmat e koordinuar te referimit të rasteve të dhunës në familje sipas detyrimeve ligjore per autorin e krimeve në fjalë dhe masat e marra, nëse ka”, thuhet në vendim.

 

Të fundit