Flash News

E-TJERA

Vrasja në Vlorë/ Gjykatë lë në burg një prej autorëve, zbardhen bisedat në telefon para ekzekutimit

Vrasja në Vlorë/ Gjykatë lë në burg një prej

Gjykata e Vlorës ka caktuar masën e sigurisë “arrest me burg” për Hansi Andi Jonusin, një prej autorëve të dyshuar të ekzekutimit të Taulant Gjikës (alias Manaj, Beqiraj).

Prokurori i çështjes Kledjan Llaho ka kërkuar burg pa afat për 44-vjeçarin për akuzën e vrasjes me paramendim në bashkëpunim e cila është pranuar nga gjykatësi Albert Spiro.

Mësohet se Jonusi ka heshtur në sallën e gjyqit duke mos dhënë detaje për ngjarjen e ndodhur më më 3 mars, në lagjen “Bashkimi” në Vlorë, në afërsi të Gjykatës së Apelit.

Nga pamjet e publikuara në media, Taulant Gjikaj u ekzekutua nga dy persona të armatosur që zbritën nga një automjet dhe pasi e qëllojnë, të dy largohen sërish më pas me të njëjtën makinë. Jonuzaj dyshohet se ka qenë në rolin e shoferit në automjetin tip “Ford”, ndërkohë që policia ka shpallur në kërkim dhe dy autorët e tjerë të ngjarjes.

Burime bëjnë me dije se viktima mëngjesin e vrasjes ka kërkuar një shumë lekësh borxh diku, si dhe ka komunikuar në telefon me autorët. Tabulatet telefonike faktojnë bisedat mes viktimës dhe autorëve, të cilat kanë qenë të ashpra, me debate dhe ofendime. Ata kanë qenë miq dhe shokë me njëri-tjetrin, ndaj dhe Taulant Gjikaj ka ndaluar, në momentin që ata i kanë dalë para në rrugë.

Pas vrasjes, viktimës iu gjet dhe një pistoletë në brez. Taulant Gjikaj është djali i një ish-punonjësi policie dhe është arrestuar dy herë nga uniformat blu. Ai ka qenë protagonist dhe në një ngjarje të rëndë të ndodhur në datë 27 shkurt 2018 në qytetin e Vlorës, ku 8 të rinj me pistoleta dhe kallashnikov janë përplasur me armë ndaj njeri-tjetrit. Nga shkëmbimi i zjarrit nga dy bandat mbetën 3 persona të plagosur. Tauland Gjikaj i cili ka përdorur dhe mbiemrat Beqiraj e Manaj ishte një ndër personat e përfshirë në konfliktin e armatosur. Ai u arrestua për ngjarjen, por u lirua sërish nga gjykata.

Të fundit