Flash News

E-TJERA

Vrau Sajmir Jakun në 2016, Gjykata e Lezhës lë në burg Dorian Keqin

Vrau Sajmir Jakun në 2016, Gjykata e Lezhës lë në burg

Gjykata e Lezhës ka vendosur masën e sigurisë 'arrest ne burg' për 40-vjeçarin Dorian Keqi, i arrestuar si autori i vrasjes së ish drejtorit të Tensionit të Lartë në Veri të vendit, Saimir Jaku dhe plagosjes së mikut të tij Gjergj Prenga.

Ndonëse u fundos nga shenjat e gishtave në provat e administruara, Keqi e ka mohuar përfshirjen e tij në krim në sallën e gjyqit. 

Vrasja e ndodhur 6 vjet më parë u zbardh pak ditë më parë edhe me arrestimin e autorit të dyshuar.  Sipas policisë, vrasja ishte kryer kundrejt pagesës dhe se porositësit dyshohet të jenë një grup i strukturuar kriminal që vepron në qarkun Lezhë, tashmë të identifikuar dhe nën hetim nga ana e Policisë.

Atentati ndodhi më datë 9 shtator 2016, në një lokal në qendër të qytetit të Rrëshenit, pak metra larg komisariatit,  ku viktima, Saimir Jaku kishte shkuar të pinte një kafe. Në atë kohë dëshmitarët okularë thanë se një person i armatosur dhe i maskuar kishte dalë nga automjeti tip Benz dhe kishte qëlluar me bresheri automatiku në drejtim të Saimir Jakut. 33 vjeçari gjeti vdekjen e menjëhershme ndërkohë mbeti i plagosur miku i tij, Gjergj Prenga 50-vjeç nga Rrësheni i cili në momentin e ngjarjes po pinte kafe me viktimën.

Gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e Dorian Keqit, në kuadër të operacionit policor “GJURMA”, janë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale 21 aparate celulare dhe 6 mbajtëse të kartave SIM.

 

Të fundit