Flash News

E-TJERA

'Godet' Yuri Kim: SPAK ka në dorë disa dosje të bujshme, po asistohet nga një agjent i FBI; Si u rrëzua 'puçi' kundër shefes së BKH nga amerikanët

'Godet' Yuri Kim: SPAK ka në dorë disa dosje të

“SPAK ka në dorë disa dosje të bujshme dhe do ketë rezultat shumë shpejt”, kështu ka deklaruar gjatë një interviste për “Opinion”, ambasadorja amerikane Yuri Kim, duke shtuar se SHBA ka sjellë një ish-agjent të FBI-së në Tiranë, i cili po punon ngushtë me SPAK.

Ndërkaq, e pyetur për mbështetjen që SHBA i ka ofruar Byros Kombëtare të Hetimit, Kim ka zbuluar se ka patur një puç për bllokimin e emërimit të Aida Hajnajt në krye të BKH, por që amerikanët e rrëzuan.

Pjesë nga biseda:

A besoni tek SPAK?

Unë dua të përqendrohem tek faktet. Për më tepër kohë, njerëzit e pushtetshëm në Shqipëri kanë funksionuar me pandëshkueshmëri. Kësaj kohe po i afrohet fundit. Mendoj që njerëzit kanë të drejtë të jenë të frustruar. Katër vjet e katër muaj është një kohë e gjatë, por në javët dhe muajt e fundit kemi parë çështje që janë ngritur, që po ndiqen penalisht, dhe mendoj se do të shohim disa rezultate.

Unë besoj tek SPAK. Taksapaguesit amerikanë besojnë tek SPAK. Kemi investuar sasi të stërmëdha kontributesh për t’u siguruar që SPAK të ngrihet dhe të funksionojë. Ka njerëz që do të jenë gjithmonë pesimistë për këtë projekt. Pesimizmi është i lehtë, por unë shoh faktet dhe ajo që shoh është që kemi gjëra, si Byroja Kombëtare e Hetimit, e cila nuk ekzistonte dhe tani ekziston. Pati një përpjekje për të mos e lejuar drejtoreshën të merrte rolin e saj. E kapërcyem këtë. Kishim pak njerëz që aplikuan për vendet e hetuesve; në fakt, në fund, aplikuan më shumë se 600 persona për 60 vende. Ndaj, ka përparim. Këta njerëz tani po testohen. Dua që njerëzit të mos heqin dorë nga shpresa. Ata që duan që reforma në drejtësi të dështojë duan që të hiqni dorë. Duan që të besoni se asgjë nuk ka ndodhur dhe asgjë nuk do të ndodhë ndonjëherë. Është false, është propagandë. Shihni faktet.

-Në fakt, Byroja Kombëtare e Hetimit do të ketë vetëm mbështetjen tuaj apo edhe asistencën tuaj? Pra, a ka asistencë të SHBA në ato dy institucione dhe nëse po, çfarë lloj asistence po u jepni?

Kemi ofruar mbështetje shumë të forte në formën e asistencës teknike, këshillave eksperte, trajnimit, si dhe asistencës materiale, për shembull kompjutera, duke u siguruar që të kenë pajisjet që iu duhen për të bërë punën. Ne i vendosim paratë aty ku themi. Nuk themi thjesht që mbështesim SPAK dhe BKH apo prokurorinë e posaçme, por kemi vënë edhe investimin për ta treguar mbështetjen tonë.

-A ka hetues amerikanë të përfshirë në çështje konkrete në SPAK apo BKH?

Ata janë aty për të ofruar asistencë teknike dhe këshilla eksperte. Kam një ish-agjent të FBI-së që është pjesë e personelit në ambasadë që ofron një pjesë të kësaj asistence. Por të jeni të sigurt, jemi aty për të mbështetur në maksimumin e mundshëm.

A mund të jetë më i shpejtë se sa është tani SPAK? Aq sa duam ne?

Mendoj se duam që çdo gjë të ecë sa më shpejt që të jetë e mundur por duhet edhe të sigurohemi që, teksa ecin përpara, ta bëjnë këtë me themele të forta, sepse nëse nxiton ekziston rreziku për të dështuar. Dhe nuk duam të dështojnë. Përsëris edhe një herë: propagandë. Ata që nuk e duan reformën në drejtësi paraqesin pritshmëri tepër të larta që nuk mund të arrihen tani; mendoj se po krijojnë këtë përshtypje sikur reforma në drejtësi, BKH, Prokuroria e Posaçme, janë si ndonjë film aksion.

-Po, të gjithë e mendojnë…

-Po, një ditë zgjohesh dhe të gjithë kriminelët janë në rrjetë ose pas hekurave. Jeta reale nuk është ashtu. Reforma në drejtësi do të jetë e vështirë. Do të kërkojë kohë. Do të jetë e papërsosur. Do të ketë gabime rrugës, por e dini, duhet të këmbëngulim për të sepse ka të bëjë me të ecurit përpara, një gur mbi një gur për ta ndërtuar këtë sistem.

-Por po flasim në përgjithësi sepse kemi edhe një rast konkret, për shembull. Partia Demokratike, partia më e madhe e opozitës ka dërguar dy dosje për çështjen e inceneratorëve. Kanë ngritur padi kundër Ramës, ministrit Ahmetaj, ministrit Gjiknuri, dhe disa të tjerë. Është hera e pare që SPAK ka dokumente, nuk e di cilësinë e dokumenteve, SPAK do t’i verifikojë, kundër atyre që quhen peshq të mëdhenj në vend. A mendoni që SPAK do të reagojë sa më shpejt që të jetë e mundur në këtë rast?

Kam të gjitha pritshmëritë se SPAK do bëjë pjesën e vet. Pretendimet janë ngritur, provat janë paraqitur dhe tani është detyra e SPAK që të shohë provat dhe të vazhdojë procesin më tej.

Të fundit