Flash News

E-TJERA

Zbardhet dinamika e sherrit në Bilisht, dy të arrestuar, sekuestrohen armë dhe automjete

Zbardhet dinamika e sherrit në Bilisht, dy të arrestuar, sekuestrohen

Policia e Devollit ka arrestuar 2 persona dhe ka proceduar penalisht 2 të tjerë, pas konfliktit të dhunshëm të ndodhur ditën e djeshme në qytetin e Bilishtit, ku një 38-vjeçar mbeti i plagosur me thikë.

Ngjarja ndodhi rreth orës 11:00 të paradites, kur një debat për motive të dobëta mes disa shtetasve degjeneroi në dhunë fizike. Sipas Policisë, 39-vjeçari G. M., banues në Bilisht, u përfshi në një konflikt me shtetasit T. Ç., 38 vjeç, dhe M. B., 37 vjeç (me precedent penal), të cilët gjithashtu janë banues në Bilisht. Gjatë përplasjes, G. M. dyshohet se plagosi me thikë në këmbë shtetasin T. Ç. dhe më pas u largua me automjet.

Pak minuta më vonë, i plagosuri së bashku me shtetasin M. B., u ndihmuan nga një 37-vjeçar tjetër, Y. Xh., i cili i shoqëroi me automjet për të ndjekur 39-vjeçarin. Në qendër të qytetit, dy të parët e sulmuan fizikisht G. M. dhe dëmtuan automjetin e tij me sende të forta. Nga verifikimet, rezultoi se drejtuesi i automjetit, Y. Xh., nuk kishte leje drejtimi.

Në përfundim të hetimeve paraprake, Policia arrestoi në flagrancë:

-G. M., 39 vjeç, për akuzat: "Plagosja e lehtë me dashje", "Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve të ftohta", "Prishja e rendit dhe qetësisë publike", si dhe "Shkatërrimi i pronës";

-Y. Xh., 37 vjeç, për veprën penale "Drejtimi i automjetit në mënyrë të parregullt".

Ndërkohë, në gjendje të lirë janë proceduar penalisht: M. B., 37 vjeç dhe T. Ç., 38 vjeç, për "Dëmtime të tjera me dashje" dhe "Shkatërrimi i pronës".

Gjatë kontrollit, Policia sekuestroi thikën e përdorur për plagosjen si dhe dy automjetet e përfshira në ngjarje. Materialet iu referuan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Korçë për veprime të mëtejshme.

Të fundit