Flash News

E-TJERA

Zbardhet atentati në Athinë, në pranga shqiptari që vrau për llogari të mafies turke

Zbardhet atentati në Athinë, në pranga shqiptari që vrau

Policia greke ka zbardhur atentatin mafioz të ndodhur më 13 korrik në Athinë, ku mbetën të plagosur një shtetas turk dhe një polic grek.

Autori i dyshuar i sulmit, shqiptari Alesio Biba, 22 vjeç nga Vau i Dejës, ka rënë në pranga, duke u identifikuar si ekzekutor për llogari të mafies turke.

Ngjarja ndodhi në lokalin “Filloas” në rrugën “Tripoleos”, ku 48-vjeçari turk Volkan Ertas u qëllua katër herë me armë zjarri, ndërsa një prej plumbave plagosi edhe një efektiv të policisë greke, i cili ndodhej rastësisht në vendngjarje.

Hetimet zbuluan se atentati ishte urdhëruar nga Suleyman Dalgic, një mafioz turk i dënuar me burgim të përjetshëm për masakrën e tetorit 2023 në Artemida, ku u vranë 6 pjesëtarë të grupit kriminal “Daltons”. Dalgic, që ndodhet në burgun e Larisas, kishte urdhëruar vrasjen e Ertasit, dhe shqiptari Alesio Biba ishte rekrutuar për ta realizuar atentatin.

Gjatë arrestimit në sytë e policisë, Biba theu telefonin e tij për të fshehur provat. Në banesën e tij, policia gjeti dhe sekuestroi armën e krimit – një pistoletë “Grand Power MK7”, municione, celularë, karta SIM dhe udhëzime për përdorimin e pajisjeve GPS për ndjekjen e makinave.

Në dëshminë e tij, Biba pranoi autorësinë e ngjarjes dhe deklaroi se kishte marrë urdhër vetëm për të plagosur viktimën.

Zbulimi i kësaj ngjarjeje hedh dritë mbi praninë e rrjeteve mafioze turke në Greqi dhe përfshirjen e qytetarëve shqiptarë si ekzekutorë me pagesë në larje hesapesh kriminale.

Të fundit