Flash News

E-TJERA

Zbardhet skema/ Hoxha do të lironte një tjetër të dënuar, kush janë të arrestuarit; Korrupsion në drejtësi e shëndetësi

Zbardhet skema/ Hoxha do të lironte një tjetër të
Foto ilustruese

Me urdhër të SPAK-ut, policia zhvilloi një operacion të rëndësishëm paraditen e sotme në Gjykatën e Krujës, ku arrestoi gjyqtaren Enkelejda Hoxha, kryesekretaren e Ela Mallkuçi dhe avokatin Aldo Tabaku, si dhe ka shoqëruar mbi 10 persona të cilët punojnë në Gjykatën e Krujës. Këta persona dyshohen se janë të përfshirë në një skemë korruptive.

Hoxha do të lironte nga burgu Saimir Petanin, i arrestuar për vrasje, i ekstraduar nga Itali për ekzekutimin e Romeo Beqirit, disa vite më parë. Mes të arrestuarve është edhe vëllai i Petanit, Bledar Petani. 

SPAK bën me dije se persona që vuanin dënimin në burgun e Fushë–Krujës përfitonin ulje dënimi kundrejt dhënies së përfitimit të parregullt. Të dënuarit, fillimisht zgjidhnin si mbrojtësin e tyre ligjor avokatin Aldo Tabaku dhe ky i fundit falë marrëdhënies që kishte krijuar me gjyqtaren Enkeleda Hoxha, mundësonte që të dënuarit të përfitonin uljen e dënimit, kundrejt shumave të parave që shkonin nga 6 deri 12 000 euro.

Në këtë skemë të kundraligjshme ishte përfshirë dhe Mallkuçi, e cila në një rast ka siguruar kërkesa e të dënuarit të kalonte për shqyrtim tek gjyqtarja Enkelda Hoxha.

Gjatë hetimit ka rezultuar se Manuela Mallkuçi i ka dhënë drejtpërdrejt përfitim të parregullt shtetasit Edvin Prifti, me qëllim që ky i fundit të bënte operacion mamanë e saj.

Në këtë skemë të kundraligjshme janë përfshirë dhe shtetaset Trendafile Frangu dhe Migena Skenderi, të cilat kanë konsumuar elementët e veprave penale “Ushtrimit të ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”.

Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë Për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar ka caktuar masat e sigurimit arrest në burg për shtetasit:

Enkelejda Hoxha, gjyqtare në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Krujë, e dyshuar për veprën penale penale “Korrupsioni pasiv i gjyqtarëve, prokurorëve dhe funksionarëve të tjerë të drejtësisë”, kryer në bashkëpunim, parashikuar nga nenet 319/ç dhe 25 të Kodit Penal;

Aldo Tabaku, avokat në dhomën e avokatisë Krujë, i dyshuar për veprat penale “Korrupsioni pasiv i gjyqtarëve, prokurorëve dhe funksionarëve të tjerë të drejtësisë”, kryer në bashkëpunim, dhe “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, parashikuar nga nenet 245/1 paragrafi i dytë dhe 319/ç të Kodit Penal.

Manuela Mallakuçi, sekretare në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Krujë, e dyshuar për veprën penale “Korrupsioni pasiv i gjyqtarëve, prokurorëve dhe funksionarëve të tjerë të drejtësisë” dhe “Korrupsioni aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, parashikuar nga nenet 319/ç dhe 244 të Kodit Penal;

Shkëlqim Korbi, ekspert psikiatriko – ligjor pranë Institutit të Mjekësisë Ligjore, i dyshuar për veprën penale “Ekspertim i rremë”, parashikuar nga neni 309/2 i Kodit Penal;

Sajmir Petani, i dyshuar për veprën penale “Korrupsioni aktiv i gjyqtarëve, prokurorëve dhe funksionarëve të tjerë të drejtësisë”, kryer në bashkëpunim, parashikuar nga neni 319/a i Kodit Penal;

Bledar Petani, i dyshuar për veprën penale “Korrupsioni aktiv i gjyqtarëve, prokurorëve dhe funksionarëve të tjerë të drejtësisë”, kryer në bashkëpunim, parashikuar nga neni 319/a i Kodit Penal;

Altin Skëndaj, i dyshuar për veprën penale “Korrupsioni aktiv i gjyqtarëve, prokurorëve dhe funksionarëve të tjerë të drejtësisë”, kryer në bashkëpunim, parashikuar nga neni 319/a i Kodit Penal;

Gentjan Nezaj, i dyshuar për veprën penale “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, kryer në bashkëëpunim, parashikuar nga neni 245/1 paragrafi i parë dhe 25 të Kodit Penal.

Isuf Tanuzi, i dyshuar për veprën penale “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, kryer në bashkëpunim, parashikuar nga neni 245/1 paragrafi i parë dhe 25 të Kodit Penal.

Gjithashtu gjatë hetimit të këtij procedimi penal është evidentuar edhe një rast korrupsioni në shëndetësi dhe në lidhje me këtë rast SPAK-u ka vendosur caktimin e masës së sigurimit ndaj shtetasve:

Edvin Prifti, mjek kardiokirurg në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, Tiranë, masë sigurimi “Pezullim i ushtrimit të një detyre apo funksioni publik”, parashikuar nga neni 242 i K. Pr. Penale, i dyshuar për veprën penale “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, parashikuar nga neni 259 i Kodit Penal.

Trendafile Frangu, infermiere në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, Tiranë, masë sigurimi “Pezullim i ushtrimit të një detyre apo funksioni publik”, parashikuar nga neni 242 i K. Pr. Penale, e dyshuar për veprën penale “Ushtrim i ndikimit të paligjshëm të funksionarëve publikë”, parashikuar nga neni 245/1 paragrafi 2 i Kodit Penal;

Migena Skenderi, masë sigurimi “detyrim për t’u paraqitur në policinë gjyqësore”, parashikuar nga neni 234 i K. Pr. Penale, si e dyshuar për veprën penale “Ushtrim i ndikimit të paligjshëm të funksionarëve publikë”, parashikuar nga neni 245/1 paragrafi 2 i Kodit Penal;

Të fundit