Flash News

E-TJERA

Zbardhet vendimi i gjykatës që la në fuqi masën e ndalimit për Ballukun

Zbardhet vendimi i gjykatës që la në fuqi masën e ndalimit

Gjykata e Posaçme e Apelit ka zbardhur vendimin me të cilin konfirmon masën e ndalimit për të dalë jashtë vendit ndaj zv/kryeministres dhe ministres së Infrastrukturës, Belinda Balluku. Vendimi, i shpallur më 18 dhjetor dhe i dorëzuar së fundmi palëve mbrojtëse, arsyeton se ekziston rreziku që funksionarja t’i shmanget drejtësisë.

Sipas arsyetimit të gjyqtares Miliana Muca, ky rrezik lidhet me peshën e akuzës së komunikuar ndaj Ballukut dhe marzhin e dënimit që parashikon vepra penale e “shkeljes së barazisë në tendera”. Për këtë arsye, gjykata çmon se mbajtja e pasaportës së bllokuar është një masë e domosdoshme për garantimin e procesit.

Me këtë vendimmarrje, Apeli lë në fuqi vendimin e mëparshëm të gjyqtarit Erjon Cela. Ndërkohë, gjykata shprehet se nuk mund të marrë një qëndrim për masën e pezullimit nga detyra të zv/kryeministres, pasi kjo çështje është aktualisht në shqyrtim nga Gjykata Kushtetuese. Shqyrtimi gjyqësor mbi këtë pikë mbetet i pezulluar deri në vendimin përfundimtar të Kushtetueses, e cila pritet të mblidhet në seancë plenare më 22 janar 2026.

Nga ana tjetër, në praktikë, Apeli vlerëson se masa e pezullimit nga detyra ndaj Ballukut ka rënë, duke iu referuar një vendimi të mëparshëm të Gjykatës Kushtetuese që e riktheu atë në funksion.

Pas zbardhjes së vendimit, mbrojtja e Belinda Ballukut, së bashku me avokatët e Gentian Gjylit dhe Erald Elezit, ka nisur procedurat për depozitimin e rekursit në Gjykatën e Lartë.

Paralelisht, SPAK vijon hetimet. Në pritje të mbledhjes së Këshillit të Mandateve, ku pritet të diskutohet çështja e imunitetit të deputetes Balluku, Prokuroria e Posaçme ka autorizuar një valë kontrollesh ndaj 54 subjekteve, kryesisht zyrtarë të Ministrisë së Infrastrukturës dhe përfaqësues të biznesit. Kontrollet janë kryer nga BKH, me qëllim mbledhjen dhe sigurimin e provave.

Në seancë në Gjykatën Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, prokurori i çështjes, Dritan Prenci, ka argumentuar se ekziston rreziku i prishjes së provave dhe i intimidimit të dëshmitarëve, çka sipas SPAK justifikon intensifikimin e veprimeve hetimore.

Të fundit