Flash News

E-TJERA

Zbarkimi i parë i emigrantëve në Shqipëri, media franceze: "Eksperiment mizor" nën drejtimin italian

Zbarkimi i parë i emigrantëve në Shqipëri, media franceze:

Sot në portin e Shëngjinit, rreth orës 10:00, mbërriti kontingjenti i parë i emigrantëve, në kuadër të marrëveshjes mes Shqipërisë dhe Italisë. Gjashtëmbëdhjetë burra nga Bangladeshi dhe Egjipti u zbarkuan nga një anije e marinës italiane dhe u shoqëruan drejt qendrës pritëse të ngritur në afërsi të portit. Emigrantët do të kalojnë kontrolle shëndetësore dhe do të regjistrohen përpara transferimit në qendrën e dytë në Gjadër, 20 kilometra larg.

Amnesty International e ka quajtur këtë projekt një “eksperiment mizor”, duke kritikuar qendrat e emigrantëve të rrethuara me mure të larta dhe të monitoruara nga kamerat e sigurisë. Qendrat, të cilat do të drejtohen nga Italia, do të funksionojnë me staf dhe siguri italiane, ndërsa çështjet e azilkërkuesve do të shqyrtohen përmes video-konferencave me gjyqtarët në Romë.

Aktivistët për të drejtat civile kanë shprehur shqetësime për të drejtat e azilkërkuesve, ndërsa disa prej tyre u mblodhën në Shëngjin me pankarta ku shkruhej: "Ëndrra evropiane përfundon këtu", duke ironizuar projektin e qeverisë italiane. Ndërkohë, Kryeministrja Giorgia Meloni i hodhi poshtë kritikat, duke e përshkruar skemën si një rrugë të re dhe të guximshme, e cila reflekton frymën evropiane dhe mund të ndiqet edhe nga vende të tjera jashtë BE-së.

Projekti, i cili u nënshkrua në nëntor 2023 nga Meloni dhe Kryeministri shqiptar Edi Rama, ka një kosto vjetore prej 160 milionë euro dhe pritet të zgjasë pesë vjet. Ndërsa qendrat në Shqipëri pritet të kenë një kapacitet fillestar prej 1000 personash, duke u rritur deri në 3000, kritikët thonë se numrat e vegjël të emigrantëve të transferuar nuk justifikojnë shpenzimet. Studiuesi i migracionit Matteo Villa ironizoi shifrat, duke thënë: “Në tre ditët e fundit, mbi 1600 emigrantë kanë mbërritur në Itali, ndërsa një anije po çon vetëm 16 në Shqipëri. Nuk ka nevojë të shtoj asgjë tjetër.”

Në këtë klimë tensioni, marrëveshja mes dy vendeve po shihet si një eksperiment i rrezikshëm që ngre pyetje mbi përputhshmërinë e saj me ligjin ndërkombëtar dhe respektimin e të drejtave të emigrantëve.

Të fundit