Flash News

E-TJERA

Zerimi i rasteve me Covid-19, Çomo: Nuk mund ta them dot, në vjeshtë pritet rritje

Zerimi i rasteve me Covid-19, Çomo: Nuk mund ta them dot, në
Najada Çomo

Shefja e Infektivit Najada Çomo ka folur për situatën me Covid-19 në spitale. Ajo është shprehur se prej disa ditësh në spitalin Infektiv nuk janë paraqitur pacientë të rinj dhe se nuk është asnjë person në intubim. Sa i përket zerimit të rasteve, Çomo nuk jep siguri, por thekson se situata është përmirësuar ndjeshëm.

“E them me kënaqësi që po ulet numri i pacientëve të shtruar në spital dhe kjo tregon se është ulur edhe sëmundshmëria në popullatë. Ne jemi drejt uljes së numrit të rasteve si asnjëherë tjetër gjatë kësaj periudhe. A do të shkojmë drejt zeros këtë nuk mund ta them dot. Ne kemi disa ditë që nuk kemi pacientë të rinj të shtruar. Aktualisht nuk kemi asnjë person të intubuar, por kjo është një sëmundje që nuk të lejon të bësh shumë parashikime”, tha Çomo për "A2 CNN".

Sa i përket vjeshtës, Çomo thotë se pritet rritje e rasteve, ndërsa shton se procesi i vaksinimit do të japë ndikimin e vet.

“Do të isha e lumtur që të mos kishte më raste në Shqipëri, por gjykohet se mund të ketë raste edhe në vjeshtë, por vaksinimi është një proces i rëndësishëm dhe mund të minimizojë edhe atë që mund të vijë në vjeshtë”, tha Çomo.

Të fundit