Flash News

E-TJERA

Zgjidhet kryetari i Këshillit Drejtues të RTSH-së, çfarë miratoi tjetër Kuvendi sot      

Zgjidhet kryetari i Këshillit Drejtues të RTSH-së,
Foto ilustruese

Në seancën e kësaj të hëne, Kuvendi ka miratuar aktin normativ, duke i dhënë Komisionit Qendror të zgjedhjeve 2.42 miliardë lekë për identifikimin biometrik në zgjedhjet e 25 prillit.

KQZ nuk mund ta përballonte nga buxheti i saj koston e aplikimit të teknologjisë në zgjedhje, ndaj u vendos shtimi i 2.42 miliardë lekëve nga Buxheti i Shtetit për ta financuar projektin.

Sipas ministres së Financave, Anila Denaj kjo gjë nuk ndikon në parametrat makro, në borxh apo në deficit. 83 deputetë votuan pro këtij akti, 13 kundër dhe 3 abstenuan.

Një tjetër vendim që u mor ishte për projektvendimin “Për zgjedhjen e kryetarit të Këshillit Drejtues të Radio Televizionit Shqiptar”. Kuvendi zgjodhi si kryetare Leka Bungon me 77 vota.

Në garë për këtë post ishte dhe Gaspër Marku. Bungo është regjisor, aktor, dhe skenarist. Në vitin 2001 ai u zgjodh anëtar i bordit drejtues të RTSh. Këshilli Drejtues i RTSH-së është organi kryesor vendimarrës. Ai përbëhet nga 10 anëtarë dhe kryetari të cilët zgjidhen nga Kuvendi.

Me shumicë votash gjithashtu është miratuar dhe projektligji  “Për miratimin e marrëveshjes, ndërmjet ministrisë së Financave dhe shoqërive “S2 Albania” shpk dhe “Rapiscan systems” INC “Për një ndryshim në marrëveshjen e konçensionit për financimin, ngritjen dhe operimin e shërbimit të skanimit të kontejnerëve e automjeteve të tjera".

Me 84 vota pro është miratuar dhe Akti Normativ i Këshillit të Ministrave “Për disa shtesa në ligjin nr. 105/2014 “Për barnat dhe shërbimin farmaceutik” të ndryshuar””.

Të fundit