Flash News

E-TJERA

‘Zgjedhje në interes të Dukës’, Veliaj kallëzon dy zyrtarët e FSHF, kërkon sekuestro të dokumenteve

‘Zgjedhje në interes të Dukës’, Veliaj kallëzon

‘Beteja’ mes kryebashkiakut të Tiranës Erion Veliaj dhe Federatës Shqiptare të Futbollit, do të vijojë në prokurori jo vetëm për kreun e saj.

Veliaj ka kallëzuar në prokurori Sekretarin e Përgjithshëm të FSHF-së, Ilir Shulkun dhe Ardian Haçin, me detyrë Sekretar i Përgjithshëm i Shoqatës Rajonale të Futbollit Tiranë, për shkelje dhe manipulim gjatë zgjedhjeve për kreun e Shoqatës Rajonale të Futbollit Tiranë.

Sipas kryebashkiakut, Shulku ka kërkuar që persona anonimë të jenë të pranishëm në mbledhje duke mos proceduar as me identifikimin e delegatëve me të drejtë vote.

“Në ambientin ku ishte planifikuar të zhvillohej mbledhja kanë qenë prezent 67 anëtarë nga 41 që duhet të jenë, ku 24 anëtarë kanë qenë persona anonim (delegatë jo-legjitim) të përzgjedhur në mënyrë të kundraligjshme nga përfaqësues të FSHF-së, me qëllim ndikimin në procesin e zgjedhjes së Kreut të Shoqatës Rajonale të Futbollit të Tiranës, duke paracaktuar rezultatin.

Në listën jo të plotë dhe të manipuluar, të vënë në dispozicion para pak kohësh, anëtarëve të shoqatës me justifikimin për thirrjen e mbledhjes së delegatëve. Ka informacione që në mbledhjen e datës 24.01.2022 të orës 15 të Shoqatës Rajonale të Futbollit Tiranë, me telefon nga Sekretari i Përgjithshëm i Federatës Shqiptare të Futbollit Ilir Shulku është kërkuar e kanë marrë pjesë në këtë mbledhje persona që nuk kanë asnjë lloj lidhje me shoqatën në kundërshtim të plotë me statutin e federatës që përcakton që delegatët duhet të jenë punonjës të anëtarëve të Shoqatës Rajonale të Futbollit Tiranë”, thuhet në kallëzim.

 Kryebashkiaku ka kërkuar sekuestrimin e dokumenteve të FSHF-së dhe të shoqatës.

“Kërkojmë në mënyrë të menjëhershme sekuestrimin e gjithë dokumentacionit të hartuar nga Federata Shqiptare e Futbollit dhe nga Shoqata Rajonale e Futbollit Tiranë, si dhe të gjithë serverat e këtyre dy institucioneve me qëllim sigurimin e provave për faktet penale të referuar dhe ndalimin e vijimit të shkeljeve të mëtejshme që do sjellin si pasojë deformimin kriminal të vullnetit të anëtarëve të këtyre OJF-ve. Kërkojmë marrjen e masave të menjëhershme dhe ndjekjen penale të shtetasit Ilir Shulku dhe Ardian Haçi, me detyrë Sekretar i Përgjithshëm i Federatës Shqiptare të Futbollit dhe Shoqatës Rajonale të Futbollit Tiranë, si personat përgjegjës për administrimin e dokumentacioni elektronik dhe fizik të institucioneve që përfaqësojnë”, thuhet në padi.

Të fundit