Flash News

E-TJERA

Zgjedhjet 2025/ Rreth 50 mijë zarfe pezull, nis sot numërimi i votave nga Greqia

Zgjedhjet 2025/ Rreth 50 mijë zarfe pezull, nis sot numërimi i votave

Janë rreth 50 mijë vota të mbërritura me zarfe nga Greqia të cilat u hoqën mënjanë nga KQZ, pasi u kontestuan nga PD të cilat do të nisin të numërohen sot.

Nga ana tjetër, ka përfunduar numërimi i votave të ardhura nga shtetet e tjera. 246 mijë shqiptarë me banim jashtë vendit u regjistruan në sistemin online të KQZ për të votuar në zgjedhjet parlamentare të 11 majit. Por nga këta, 194 mijë emigrantë shprehën verdiktin e tyre duke kthyer në KQZ zarfin me votën.

Rreth 20 mijë zarfe nuk mbërritën asnjëherë në destinacion ndërsa pjesa tjetër e përfaqësuesve të diasporës nuk denjuan të kthenin zarfin.

Ditën e djeshme Kolegji Zgjedhor ka marrë vendimin për të rrëzuar kërkesën padinë e Partisë Demokratike, e cila kërkonte shfuqizimin e vendimit të Komisionit të Administratës Shtetërore (KAS).

PD kishte kundërshtuar lejimin e numërimit të votave të diasporës nga Greqia, duke e konsideruar këtë një shkelje të procedurave. Kreu i KQZ, Ilirjan Celibashi pranoi ankimimin e PD-së dhe urdhëroi pezullimin e numërimit për votat e Greqisë, të cilat u veçuan nga zarfet e tjera.

Ndërkohë, KAS rrëzoi urdhrin e Celibashit dhe vendosi që të pranohej numërimi i këtyre votave si pjesë e procesit zgjedhor.

Kolegji Zgjedhor, pas shqyrtimit të kërkesës, e ka cilësuar si të pavlefshme kërkesën e PD-së, duke konfirmuar kështu vlefshmërinë e numërimit të votave të Greqisë.

Mbrëmjen e djeshme Partia Demokratike ka dërguar në Komisionin e Ankesave dhe Sanksioneve vendimin e Ilirjan Celibashit, i cili urdhëroi vazhdimin dhe përfundimin e numërimit të çdo dokumentacioni zgjedhor të mbërritur nga jashtë vendit. Aty përfshihen edhe zarfet e mbërritura nga Greqia.

Të fundit