Flash News

E-TJERA

Zgjedhjet në PD, Shano: Nuk ka garë, Rama ndihet komod me Bashën; komenton vendimin e DASH për Berishën

Zgjedhjet në PD, Shano: Nuk ka garë, Rama ndihet komod me Bashën;
Dritan Shano

Analisti Dritan Shano komentoi zgjedhjet për kryetar në PD. Ai tha se nuk ka garë, duke argumentuar se kryedemokrati Lulzim Basha i ka në dispozicion të gjithë mjetet. Sipas Shanos, rezultati nuk do te këtë surpriza.

“Për mendimin tim personal, nuk ka garë në Partinë Demokratike. Një kryetar që hyn në garë si kryetar, e fillon garën e 100-metërshit 90 metra para kandidatëve të tjerë.

Ai ka në dispozicion gjithë nomenklaturën e partisë, ajo vendos se çfarë pranohet dhe nuk pranohet si kandidat, sikundër e pamë edhe dje. Ka një proces të imagjinuar, që i imponohet atyre njerëzve që tentojnë të garojnë. Gara duhet zhvilluar në kushte të barabarta. Nuk do të ketë asnjë surprizë”, tha Shano.

Ky i fundit u shpreh për “Dita jonë” se kryeministri Edi Rama ndihet komod që ka përballë një kundërshtar si Basha.

“Të krijohet përshtypja se po aq sa e duan demokratët Bashën, aq e duan edhe socialistët. Jo më kot, Rama nxitoi që t’i hidhte komardaren për përfaqësim zotit Basha. Rama ndihet komod me Bashën dhe do të bëjë ç’është e mundur që ai të mos trazohet”, deklaroi Shano.

Sa i përket shpalljes "non grata" të ish-kryeministrit Sali Berisha, analisti tha se PD duhet të ndahet nga e shkuara, duke theksuar se Berisha e trajtoi personalisht këtë çështje, pa përdorur PD.

“E kam thënë edhe më parë: PD-ja duhet të ndahet nga e shkuara, sado e lavdishme të jetë ajo. Zoti Berisha e trajtoi personalisht këtë gjë, nuk përdori ambientet e PD-së për të adresuar çështjen e tij. Për këto gjëra kemi kryetarin, që duhet të lexojë pozicionin e PD-së përballë SHBA-së dhe të marrë vendimet e veta. Për këtë punë është kryetari. Basha duhet të ishte më i qartë në qëndrimin e tij”, tha Shano.

Të fundit