Flash News

E-TJERA

Zgjedhjet në PD, Shehu kritikon qëndrimin e Nishanit: Nuk duhet të përfshihet në favor të njërit apo tjetrit kandidat

Zgjedhjet në PD, Shehu kritikon qëndrimin e Nishanit: Nuk duhet

Deputeti i zgjedhur Tritan Shehu ka kritikuar qëndrimin e kryetarit të Këshillit Kombëtar, Bujar Nishani lidhur me procesin zgjedhor në parti. Sipas Shehut, për rolin që ka, Nishani nuk duhet të dilte në krah të njërit apo tjetrit kandidat.

Në një intervistë për "Panorma.al", Shehu tha: Nishani është kryetar i Këshillit Kombëtar dhe si i tillë, ai post duhet të jetë më shumë se kushdo tjetër jashtë përfshirjes direkte në favor të njërit apo tjetrit kandidat e aq më shumë kundër dikujt, edhe më i kujdesshëm se nënkryetarët apo sekretari i përgjithshëm, për vetë domethënien e karakteristikat e atij posti ekuilibrash e gjithë përfshirës.

Shehu komentoi edhe vendimin e DASH për të shpallur 'non grata' ish-kryeministrin Sali Berisha. Ai ka dalë në mbështetje të Berishës, duke e konsideruar një lider historik me merita thelbësore në demokratizimin e vendit.

Sa i përket përballjes në gjykatë të Berishës me Sekretarin Amerikan të Shtetit, Antony Blinken, Shehu u shpreh se ky është një vendim që ka të bëjë me dinjitetin dhe jo me institucionet amerikane.

Ai theksoi se asgjë nuk është e pakorrigjueshme dhe e pandryshueshme, duke përfshirë edhe largimin e kësaj mjegullnaje, siç e quan Shehu, rreth Berishës.

"Berisha është një lider historik me merita të veçanta e thelbësore për ndryshimet demokratike, zhvillimet, rrugën pro perëndimore, europiane, pro amerikane të vendit tonë dhe më kontribute të tilla edhe në Rajon. Është një personalitet thellësisht pro europian e pro amerikan, me një karakter të fortë, korrektësi, ndershmëri e këmbëngulje.

Për vetë rolin e tij, ai jo rrallë është vendosur edhe në qendër të sulmeve, akuzave nga qarqe të ndryshme, që padyshim mund të lënë edhe gjurmë apo të krijojnë mjegullnaja nga më të ndryshmet dhe pranë institucioneve nga më seriozet. Unë gjykoj se këto mjegullnaja mund të influencojnë kudo, qoftë dhe përkohësisht, veçanërisht kur përfshihen mekanizma të gjera për përhapjen e tyre, siç janë instrumentet e regjimit të Tiranës, Beogradit apo diçka tjetër.

Unë që admiroj në ekstrem institucionet amerikane e atë vend thelbësor për demokracinë në botë, mendoj se asgjë nuk është e pakorrigjueshme dhe e pandryshueshme, pra edhe në largimin e kësaj mjegullnaje rreth Berishës. Sa për reagimin e tij e drejtimin në gjykatë, jam i bindur se kjo nuk ka të bëjë me ndonjë goditje ndaj institucioneve amerikane nga Berisha, absolutisht jo. Kjo lidhet me përpjekjet e tij për të shpërndarë këtë të krijuar, e lidhur kjo veçanërisht me dinjitetin e tij. Ai gjithmonë ka preferuar të ndeshet përballë me problemet e jo t’i anashkalojë apo të gjejë rrugët tangenciale për t’i tejkaluar ato", tha Shehu për "Panorama.al".

Të fundit