Flash News

E-TJERA

Zgjidhen anëtarët zëvendësues të KPK-së dhe Komisionerit Publik

Zgjidhen anëtarët zëvendësues të KPK-së dhe

Komisioni i posaçëm “ad hoc” me kryetar Ulsi Manjan ka zgjedhur sot Rozeta Ivanova si anëtare e dytë zëvendësuese si Komisionere në Komisionin e Pavarur të Kualifikimit dhe Irena Nino si anëtare e parë zëvendësuese si Komisioner Publik.

Dy vendet kishin mbetur bosh pas largimit të Pal Shkëmbit nga pozicioni i zëvendësuesit të dytë. Ndërsa nga pozicioni i zëvendësuesit të parë për Komisioner Publik u largua Darjel Sina. Ky i fundit kaloi nga pozicioni i zëvendësuesit të parë në Komisioner Publik, dhe vendi i tij mbeti bosh si Komisioner Publik. 

Për Komisonerë të KPK lista për votim përbëhej nga 4 kandidatë: Arben Lena, Irena Nino, Rozeta Ivanova dhe Suzana Pasha.

Ndërsa për Komisionerë Publikë lista përbëhej nga 12 kandidatë: Albana Tushe, Arte Gjonaj, Bledar Cenameri, Edmond Kasmi, Eliona Lloja, Irena Nino, Liri Llukani, Mirjon Theodhosi, Orjela Shishi, Rovena Pregja, Suzana Hoxha, Suzana Pasha.

Komisioni votoi nëpërmjet një sistemi elektronik që mundëson votimin e fshehtë, ku secili anëtar voton për një kandidat. Pas votimit të fshehtë elektronik, Manja u shpreh se në mbledhje dhe votim nga 12 anëtarë të Komisionit “Ad hoc” morën pjesë 11 anëtarë.

“Pas kryerjes së votimit të fshehtë elektronik për anëtar i dytë zëvendësues si Komisionerë në KPK, rezultati i votimit rezulton Rozeta Ivanova 6 vota, Irena Nino 4 vota, Suzana Pasha 0 vota dhe Arben Lena 1 votë. Fitues për pozicionin e anëtarit të dytë zëvendësues për Komisionerë pranë KPK shpallet Rozata Ivanova me 6 vota”, tha Manja.

“Për anëtarin e parë zëvendësues si Komisioner Publik, në përfundim të votimit të fshehtë elektronik rezulton Albana Tushe 1 votë, Irena Nino 10 vota, dhe kandidatët e tjerë zero vota. Fitues për pozicionin e anëtarit të parë zëvendësues për Komisioner Publik rezulton Irena Nino”, u shpreh ai.

Në fund, Komisioni miratoi me 10 vota pro vendimin për miratimin e listës me dy anëtarët zëvendësues, për anëtarin e dytë zëvendësues në KPK Rozeta Ivanova dhe për anëtar i parë zëvendësues si Komisioner Publik, Irena Nino.

Të fundit