Flash News

E-TJERA

Zjarret, Dom Gjergj Meta: Dështim i shtetit, mos të fshihen pas "çobanëve" zjarrvënës; thirrje për veprim dhe ndërgjegjësim

Zjarret, Dom Gjergj Meta: Dështim i shtetit, mos të fshihen pas

Ipeshkvi i Dioqezës së Rrëshenit, Dom Gjergj Meta ka reaguar për situatën e krijuar nga zjarret në vendin tonë. Ai ngre shqetësimin për dëmtimin e florës dhe faunës, duke i cilësuar flakët një "fatkeqësi" dhe kriminale.

"Kjo është kriminale. Zjarri në pyje është një "fatkeqësi" që do ta paguajmë, ashtu sikurse kemi paguar prerjen e tyre të pakriter, prishjen e lumenjve e të prrojeve të ujit për HEC-et, apo sikurse kemi shfrytëzuar minierat pa kritere, me të vetmin qëllim përfitime individuale", shkruan në një reagim në rrjetet sociale.

Dom Gjergj Meta thotë se përgjegjësia bie mbi autoritetet shtetërore, duke theksuar se nuk kanë marra masa serioze për mbrojtjen e natyrës.

Ai shton se kjo përgjegjësi nuk mund të fshihet pas ngrohjes globale apo me papërgjegjësinë e "çobanëve" zjarrvënës. Ipeshkvi e konsideron këtë situatë dështim të shtetit shqiptar.

"Përgjegjësia e parë bie mbi autoritetet shtetërore që nuk kanë marrë masa serioze për mbrojtjen e natyrës dhe të territorit. Natyra, pyjet, malet janë lënë krejt pasdore, duke u mjaftuar me disa investime, më shumë private, por që edhe këto e kanë përçudnuar pothuaj tërësisht natyrën, të përqendruara në bregdetin shqiptar.

Pjesa e brendshme e natyrës shqiptare është lënë në mëshirë të fatit e të njerëzve të papërgjegjshëm kriminalë ose përfitues të bizneseve klienteliste.

Përgjegjësia e autoriteteve shtetërore nuk mund të fshihet e as të mbulohet me ngrohjen globale apo me papërgjegjësinë e "çobanëve" zjarrvënës. Këta zjarre dhe përhapja e tyre janë kryekëput dështime të shtetit shqiptar, ashtu sikurse qe prerja e pyjeve menjëherë pas rënies së komunizmit", shton ai.

Dom Gjergj Meta nënvizon se përgjegjësi jo të vogël kanë edhe qytetarët, të cilët nuk angazhohen për të mbrojtur natyrën. Ai thekson se qytetarët duhet të denoncojnë çdo rast të abuzimit me natyrën.

"Krahas korrupsionit shtetëror është shtuar edhe papërgjegjshmëria dhe formimi i ulët qytetar. Duhet së pari ta ruajmë e më pas të denoncojmë abuzimet me natyrën, duke çuar në vëmendjen e autoriteteve abuzuesit e duke protestuar kur abuzesi është vetë shteti me hallkat e tij të korruptuara", shkruan Ipeshkvi.

Ky i fundit bën thirrje për veprim dhe reflektimi serioz. Ipeshkvi nënvizon nevojën për ndërgjegjësim qytetar dhe ndërveprim të të gjithëve.

Të fundit