Flash News

E-TJERA

Zjarri në pallat, ekspertët: Mungesa e kontrollit të materialeve po rrezikon sigurinë urbane

Zjarri në pallat, ekspertët: Mungesa e kontrollit të materialeve

Zjarri i rënë në një pallat pasditen e djeshme pranë QSUT në kryeqytet ka nxjerrë në pah një problem serioz të sigurisë në ndërtim, konkretisht përdorimin e materialeve të papërshtatshme për fasadat, të cilat në vend që të ofrojnë mbrojtje, kthehen në rrezik.

Ekspertët e fushës janë të një mendjeje se shkaku kryesor qëndron te tendenca e ndërtuesve për të kursyer në kurriz të cilësisë.

“Ndërtuesit shpeshherë orientohen drejt materialeve të lira, edhe kur ato nuk përmbushin standardet dhe kriteret e mbrojtjes nga zjarri”, - thekson eksperti Mariglen Sakolli.

Këtë shqetësim e ndan edhe inxhinierja e njohur e ndërtimit, Luljeta Bozo, e cila kritikon ashpër neglizhencën ndaj rregullave themelore.

“Ndërtimi ka rregulla strikte që askush nuk duhet t'i shkelë, sepse rrezikohet jeta e njerëzve. Nuk është normale që një fasadë të marrë flakë. Materiali është vënë për termoizolim, por nuk plotëson kushtin kryesor, të jetë i padjegshëm. Ka materiale të tilla, por janë më të kushtueshme. Këtu nuk llogariten lekët, por jeta e njerëzve”, - shprehet ajo.

Megjithatë, përgjegjësia nuk bie vetëm mbi kompanitë e ndërtimit. Sipas Bozos, ngjarja tregon për një dështim zinxhir në të gjithë sistemin e mbikëqyrjes.

“Përgjegjësia është e gjithë sistemit kontrollues, i cili kësaj here ka dështuar. Asnjë material nuk duhet të përdoret pa certifikatën përkatëse të cilësisë. Për mua, këtu në Shqipëri hallka e kontrollit çalon shumë”, - shton inxhinierja.

Pavarësisht përhapjes së shpejtë të flakëve në fasadë, fatmirësisht struktura mbajtëse e ndërtesës nuk është prekur. Kjo ka lejuar që banorët të rikthehen në banesat e tyre pas shuarjes së zjarrit.

“Sistemi kapot nuk është pjesë e strukturës dhe apartamentet nuk janë dëmtuar. Kolonat janë të paprekura”, konfirmojnë specialistët.

 

Të fundit