Flash News

E-TJERA

Zjarri në tregun e “5 Majit”/ Policia reagon pas dy ditësh: Dyshohet shkëndijë elektrike

Zjarri në tregun e “5 Majit”/ Policia reagon pas dy

Dhjetëra biznese u shkrumbuan dhe mallra me vlerë të konsiderueshme u dogjën, ndërsa Policia e Tiranës reagoi vetëm pas dy ditësh lidhur me zjarrin që përfshiu tregun e “5 Majit”, mbrëmjen e 8 janarit.

Në një njoftim zyrtar të publikuar me vonesë, policia bën me dije se zjarri në kapanonet e tregut, i njohur ndryshe si ish-tregu “Uzina Dinamo”, dyshohet se është shkaktuar nga një shkëndijë elektrike dhe cilësohet si ngjarje aksidentale.

Ngjarja shkaktoi panik dhe dëme të mëdha materiale, duke lënë dhjetëra tregtarë pa mallra dhe pa burimin e tyre të vetëm të të ardhurave. Megjithatë, deri në daljen e njoftimit zyrtar, nuk kishte asnjë informacion të qartë për shkaqet e zjarrit, ndërsa tregtarët kërkonin përgjigje dhe përgjegjësi.

“Më datë 08.01.2026, në rrugën ‘Ferit Xhajko’, dyshohet se, si pasojë e një shkëndije elektrike, ka rënë zjarr në kapanonet e tregut të njohur ndryshe si ish-tregu ‘Uzina Dinamo’, ku për pasojë ka patur dëme të konsiderueshme në mallra dhe dëme materiale. Nën drejtimin e Prokurorisë janë kryer veprimet procedurale dhe dyshohet se shkaku i rënies së zjarrit ka qenë aksidental. Materialet janë referuar në Prokurori për hetime të mëtejshme”, njofton policia.

Reagimi i vonuar ka ngritur pikëpyetje mbi menaxhimin e situatës dhe kushtet e sigurisë në tregjet informale, ku infrastruktura elektrike shpeshherë është e amortizuar dhe pa standarde.

Ndërkohë, tregtarët e prekur presin mbështetje dhe përgjigje konkrete nga institucionet, teksa hetimet pritet të hedhin dritë mbi rrethanat e plota të zjarrit dhe përgjegjësitë e mundshme.

 

Të fundit