Flash News

E-TJERA

Zv/ministri grek flet për “detin” e vizitën e Ramës në Turqi: Po përpunojmë dosjet për në Hagë

Zv/ministri grek flet për “detin” e vizitën e Ramës

Zv/ministri i Jashtëm i Greqisë, Miltiadhis Varviciotis, ka folur në lidhje me marrëdhëniet mes Greqisë dhe Shqipërisë si dhe ka komentuar vizitën e fundit të kryeministrit Rama në Turqi.

Ministri Varviciotis, tha në një intervistë se e vlerëson takimin Shqipëri-Turqi në kuadrin e marrëveshjeve ekonomike, ndërsa sa i përket marrëdhënieve Shqipëri-Greqi, tha se ndodhen në fazen e një bashkëpunimi të ndërsjellë.

 “Në lidhje me vizitën Rama në Turqi rezultatet që ne nxorëm nga ky takim janë se u kufizua në çështjet ekonomike dhe marrëveshje ekonomike mes dy vendeve, duke shmangur çdo deklaratë politike, që mund të karakterizonin dhe një bashkëpunim ushtarak strategjik nën kuadrin e NATO-s”.

"Me Shqipërinë ndodhemi në një fazë me vullnet bashkëpunimi të ndërsjellë, kemi bashkëpunim në çështjet për zgjerimin europian dhe pjesëmarrjen e Shqipërisë në Europë. Në këtë kuadër kemi hapur një diskutim të gjerë dhe në BE për hapat që duhet të hidhen nga pala shqiptare para se të arrijmë në takimin e parë ndërqeveritar. Referohem në reformat që duhen bërë në procedurat e censit, të drejtat e minoriteteve etnike, regjistrimi i pasurisë së palëvizshme, që prek dhe minoritarët. Këto kritere përfshihen tashmë dhe në axhendën europiane, jemi duke i ndjekur nga afër”, ka thënë Varviciotis.

Ndër të tjera në intervistën e tij ai ka komentuar edhe çështjen e shumëpërfolur të kufirit detar mes dy vendeve, e cila do të marrë zgjidhje nga gjykata ndërkombëtare e Hagës.

“Çështja e dytë që kemi me Shqipërinë është përcaktimi i ZEE, siç dihet do të realizohet përmes Gjykatës Ndërkombëtare. Të dy palët jemi në fazën e përpunimit të dosjes me pozicionet përkatëse që do paraqesim në Hagë. Siç e dini, në Shqipëri ka reagime të fuqishme të brendshme në lidhje me zhvillimet e fundit me zgjerimin e Jonit me 12 milje, nga Greqia, madje deklarata janë bërë edhe nga presidenti i vendit, Ilir Meta dhe nga opozita, ndërsa qeveria e Ramës ka deklaruar hapur se është e drejta e Greqisë, që nuk cënon aspak të drejtat e Shqipërisë dhe nuk është e nevojshme klima e nënshtrimit që duan të ushqejnë zërat kundër", tha ai.

Të fundit