Flash News

E-TJERA

“Zvarritje e pajustifikuar e çështjeve”, KLP shkarkon nga detyra prokuroren e Dibrës

“Zvarritje e pajustifikuar e çështjeve”, KLP shkarkon

Këshilli i Lartë i Prokurorisë ka shkarkuar nga detyra prokuroren e Dibrës, Belina Zeneli (Kryemadhi).

Kërkesa është bërë nga Inspektorati i Lartë i Drejtësisë pasi gjatë hetimit janë konstatuar shkelje të dispozitave ligjore dhe zvarritje të disa çështjeve penale nga ana e prokurores.

Sipas ILD, prokurorja ka lënë 33 procedime ligjore pa zgjidhje ndërsa nuk është kryer asnjë veprim verifikimi për 300 kallëzime të kryera.

“Këshilli i Lartë i Prokurorisë pranoi sot kërkesën e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë për dhënien e masës disiplinore “shkarkim nga detyra” për prokuroren B.Z. e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Dibër. Hetimi ndaj magjistrates nisi pas ankesës së depozituar në ILD nga Prokurori i Përgjithshëm.

Nga hetimi disiplinor që përfshiu punën e magjistrates në periudhën 2013-2021, u konkludua se veprimet dhe mosveprimet e prokurores përbëjnë mospërmbushje të pajustifikuar dhe të përsëritur të funksioneve gjatë hetimit, duke sjellë zvarritje të pajustifikuara të akteve procedurale, të cilat janë të detyrueshme për zbatim nga ana e magjistratëve.

Magjistratja ka kryer të njëjtën shkelje, gjatë periudhës kohore 2013- 2021, duke bërë që shkelja të jetë vazhduese. Veprimet e magjistrates B.Z. kanë sjellë pasoja në dhënien e drejtësisë dhe kanë cënuar imazhin e  organit të akuzës duke ulur besimin e publikut tek drejtësia.

Ato përbëjnë shkelje shumë të rëndë disiplinore, që diskrediton pozitën dhe figurën e prokurorit gjatë ushtrimit të detyrës dhe Inspektori i Lartë i Drejtësisë i propozoi Këshillit të Lartë të Prokurorisë masën disiplinore “Shkarkim nga detyra”, parashikuar nga neni 105, pika 1, shkronja “dh” dhe neni 111, pika 2 të ligjit nr. 96/2016 “Për statusin e gjyqtarëve dhe të prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar, si dhe neni 148/d, pika 2, shkronja “a” e Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, masë që u pranua nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë”, thuhet në njoftimin e KLP.

Të fundit