Flash News

E-TJERA

Zv.kryetari i Gjykatës së Lartë bën bilancin e vitit: U dhanë 6,179 vendime. Ky është shqetësimi kryesor

Zv.kryetari i Gjykatës së Lartë bën bilancin e vitit: U

Zëvendëskryetari i Gjykatës së Lartë, Sokol Sadushi bëri bilancin e punës vjetore në një deklaratë për mediat, ku evidentoi si shqetësuese numrin e lartë të rekurseve, të cilat nuk arrijnë të kalojnë testin e pranueshmërisë.

Ai bëri me dije se rreth 80% e rekurseve të paraqitura rezultojnë të pasuksesshme. Gjithashtu tha se në fokus të punës ka qenë ulja e stokut të çështjeve të prapambetura.

Sadushi bëri me dije se gjatë këtij viti janë dhënë 6,179 vendime.

“Viti 2022 për Gjykatën e Lartë mund të cilësohet si viti i krijimit të besimit se gjyqësori i ringritur po funksionon. Prej tre vjetësh, fokusi i opinionit publik ka qenë tek ulja e numrit tepër të lartë të çështjeve të prapambetura. Kjo ishte dhe vijon të mbetet një prej sfidave kryesore të trupës së gjyqtarëve. Nga 36.000 çështje që prisnin për tu gjykuar në mars të vitit 2020, sot numri i çështjeve të prapambetura është ulur në 29,010, ndërkohë që numri i vendimeve të marra për këtë periudhë është 11.764.

Raporti ndërmjet çështjeve të regjistruara në Gjykatën e Lartë dhe vendimeve që dalin prej saj është në favor të këtyre të fundit, gjë e cila ka sjell edhe uljen e ndjeshme të çështjeve që presin për gjykim. Për vitin 2022 janë regjistruar rreth 2,082 çështje të reja.

Janë dhënë 6,179 vendime gjyqësore, ose 412 vendime për gjyqtarë, ndërkohë që krahasuar me vitin 2017, kur Gjykata e Lartë kishte përbërje të plotë me 17 gjyqtarë dhe 33 këshilltarë, çdo gjyqtar gjykonte mesatarisht 256 çështje në vit.

Përherë e kemi evidentuar si një problematikë shqetësuese numrin e lartë të rekurseve, të cilat nuk arrijnë të kalojnë testin e pranueshmërisë. Rreth 80% e rekurseve të paraqitura rezultojnë të pasuksesshme. E ndarë sipas fushave, nuk kalojnë testin e pranueshmërisë 75% e rekurseve në Kolegjin Civil, 83% në Kolegjin Administrativ dhe 80% në Kolegjin Penal.

Në raportin ndërmjet individëve e personave juridik privatë, nga njëra anë dhe organeve publike nga ana tjetër, kalimi me sukses i testit të pranueshmërisë së rekursit është në favor të të parëve. Për vitin 2022, organet publike rezultojnë gjyqhumbëse në 2,355 çështje administrative e civile (76%), ndërsa individët/personat juridik privatë rezultojnë gjyqhumbës në 728 çështje (24%).

Moskalimi i testit të pranueshmërisë në afro 80% të rekurseve të paraqitura adreson shqetësimin tek aktorët e sistemit të drejtësisë, përfshirë avokatët privatë, Avokaturën e Shtetit, si dhe prokurorinë, të cilët kanë detyrimin të vlerësojnë ekzistencën e shkaqeve të mjaftueshme ligjore, përpara se të vendosin t’i drejtohen me rekurs Gjykatës së Lartë”, tha ai.

Të fundit