Flash News

KRYESORE

Edhe brenda familjes Malltezi dy qëndrime të ndryshme ndaj Lulzim Bashës

Edhe brenda familjes Malltezi dy qëndrime të ndryshme ndaj Lulzim

Profesor Luan Malltezi me anë të një shkrimi në “Gazetën Shqiptare”, ka dhënë mbështetje maksimale ndaj kandidatit për kreun e PD-së, Lulzim Basha. Malltezi shprehet në favor të një mandati të dytë të Bashës, ndërsa thekson se statuti i partisë nuk ka patur asnjëherë rëndësinë që kërkojnë t’i japin sot kundërshtarët e kandidatit.

“Të gjithë demokratët e dinë se asnjëherë statuti nuk ka pasur kurrë këtë vlerën që përpiqen t’i japin. Pas humbjes së zgjedhjeve, Basha ka kërkuar zgjedhje të lira në PD për postin e kryetarit: kjo rrugë është e hapur për të gjithë. PD kërkon një staturë tjetër për të konkurruar për kryetar, një staturë që do të çojë përpara jo vetëm PD, por edhe demokracinë në Shqipëri. Për një figurë të tillë ka nevojë vendi, Luli është një prej tyre. Problem është se kush tjetër mund të konkurrojë me të? Në qoftë se gjejmë një tjetër të tillë, duhet të jemi të lumtur se liderët nuk janë kaq të shumtë dhe të zakonshëm, siç mendojnë disa me mendjelehtësi. Duke mbyllur këtë fjalë u bëj thirrje të gjithë demokratëve të qëndrojmë rreth Bashës, sepse do të fitojmë. Lulzim Basha ka shfaqur qartë në shoqërinë tonë të korruptuar tiparet e një lideri të ri, serioz dhe të kulturuar. Për njerëz të tillë kemi nevojë të gjithë, të majtë apo të djathtë, në Shqipëri; për njerëz të tillë të rinj ka nevojë çdo parti”, shkruan Malltezi.

Profesor Malltezi kritikon ashpër edhe kundërshtarët e Bashës, të cilët i akuzon për braktisje të PD-së gjatë fushatës elektorale.

“Zemërimi i papërmbajtur ndaj Bashës vjen ngase “këta liderë” nuk ishin përfshirë në listën e tij. A duhej që Basha t’i përfshinte në listë? Mendoj se jo, sepse ish-liderët jashtë liste të PD nuk mbështesnin kryetarin Basha në çadrën e lirisë; disa madje ishin kundër qëndrimit të tij publik për të mos marrë pjesë në zgjedhje me Ramën në pushtet, të tjerë nuk u ndjenë fare, sepse prisnin të ishin në listat e PD. Kur kjo nuk ndodhi, ata u hodhën menjëherë dhe me zemërimin më të madh kundër tij. Shtypi i fton “këta ish-krerë të lënë jashtë listë të PD” të deklarojnë në ekranet televizive zemërimin dhe pikëpamjet e tyre, por ne, demokratët e thjeshtë i përjetojmë këto me dhimbje, sepse është një luftë pa moral ndaj kryetarit Basha, një luftë që shpie edhe në shkatërrimin e PD”, kritikon Malltezi.

Por ky qëndrim i Luan Malltezit është dukshëm i ndryshëm nga ai i djalit të tij, Jamarbër Malltezi, njëkohësisht dhëndri i ish-kryeministrit Sali Berisha.

Jamarbër Malltezi, i cili drejton Departamentin e Mjedisit në PD, ka shprehur kritika të hapura ndaj listës së deputetëve që Basha paraqiti në zgjedhje. Ai madje firmosi edhe një deklaratë ku kritikohej sjellja e Bashës dhe rezultati në zgjedhje, megjithatë nuk pranoi se kërkonte dorëheqjen e tij. Jamërbër Malltezi ka kërkuar analizë për humbjen e PD-së më 25 qershor dhe zhdukjen e simboleve të saj.

Të fundit