Flash News

KRYESORE

Edhe Ilir Meta në mbështetje të Gjukanoviç: Kundërshtari i tij nuk ka të ardhme

Edhe Ilir Meta në mbështetje të Gjukanoviç:

Presidenti i Shqipërisë Ilir Meta u është bashkuar kryeministrit Edi Rama dhe kryeopozitarit Lulzim Basha në mbështetjen që ka dhënë për Milo Gjukanoviç në garën për president të Malit të Zi.

Në një intervistë për “Albanian Daily News”, Meta ka dhënë mbështetje publike për Gjukanoviç si një politikan që përfaqëson më mirë se kushdo interesat e shqiptarëve në Mal të Zi dhe që ofron garanci reale për bashkëpunimin rajonal.

“E theksoj edhe njëherë se shqiptarët në Mal të Zi e ndjejnë, e dinë dhe kuptojnë më mirë se kushdo tjetër se cili prej kandidatëve i ka përmbushur dhe përmbush më së miri aspiratat dhe të drejtat e tyre. Nuk ka qenë një proces i lehtë dhe as i përfunduar. Personalisht mendoj se kandidati që i ka vendosur dhe forcuar lidhjet miqësore e të bashkëpunimit midis shqiptarëve dhe malazezëve dhe ka ndikuar në mënyrë të qenësishme për ndërtimin e marrëdhënieve të shkëlqyera midis Shqipërisë dhe Malit të Zi, është zoti Millo Gjukanoviç. Mikpritja dhe mbrojtja që zoti Gjukanovic u ofroi në Malin e Zi mijëra shqiptarëve të Kosovës të shpërngulur nga gjenocidi i Milloshevicit mbeten të paharruara për shqiptarët kudo në rajon e në botë. Njohja e shpejtë e pavarësisë së Kosovës prej Malit të Zi ka qenë një tjetër tregues i përkushtimit të tij për fqinjësi të mirë dhe stabilitet. Konstruktiviteti i tij për të zgjidhur në mënyrë të hapur e të drejtë çështjen e demarkacionit me Kosovën është tregues i vizionit të tij evropian. Gjukanoviç mendoj se i përfaqëson më mirë se kushdo interesat shqiptarëve në Mal të Zi, si dhe është një prej kandidatëve me më shumë eksperiencë në drejtimin e Malit të Zi dhe që ofron garanci reale në përmirësimin e klimës së bashkëpunimit rajonal”, ka deklaruar presidenti i Shqipërisë.

Sa i përket kundërshtarit të Gjukanoviç, Mladen Bojanic, i cili është kundër NATO-s dhe pavarësisë së Kosovës, Meta tha se ai nuk ka të ardhme dhe se agjenda euroatlantike dominon agjendën politike të rajonit.

“Kandidatët, kudo ata qofshin ata në rajon e që kërkojnë kthimin e vendeve tona prapa në kohën më të errët të konflikteve nuk kanë të ardhme. Pavarësisht sfidave e kërcënimeve, rajoni ka hyrë në një fazë të re bashkëpunimi e mirëkuptimi dhe agjenda evropiane dhe euroatlantike dominon përgjithësisht agjendën politike të shumicës dërmuese të vendeve tona dhe gëzon mbështetjen më të madhe popullore”, ka theksuar Meta.

Zgjedhjet presidenciale në Mal të Zi do të zhvillohen këtë të diel, më 15 prill, dhe sondazhet nxjerrin në avantazh Gjukanoviçin.

Të fundit