Flash News

KRYESORE

Edhe ministri i Jashtëm gjerman si Merkel, ‘ndan’ Shqipërinë nga Maqedonia e Veriut: Ende hezitim për nisjen e bisedimeve

Edhe ministri i Jashtëm gjerman si Merkel, ‘ndan’

Ministri federal për Punët e Jashtme të Gjermanisë, Heiko Maas, gjatë një seance dëgjimore në komisionin e punëve të jashtme të Parlamentit Europian deklaroi se Gjermania synon mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare me Maqedoninë e Veriut gjatë presidencës së saj të Bashkimit Europian.

Ai përcolli edhe mesazhin e shteteve të tjera anëtare të BE sa i takon hapjes së negociatave me Shqipërinë, për të cilat tha se ende hezitojnë për fillimin e bisedimeve.

Ministri sqaroi se e kundërta ndodh me Maqedoninë e Veriut, ku nënvizon se duhet të nisin konferencat e anëtarësimit.

"Në fillim të këtij viti, ne shpresuam në arritjen e një marrëveshjeje lidhur me vendimin për hapjen e negociatave të anëtarësimit me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë. Ne ishim shumë të kënaqur që kjo u arrit. Ne do të donim që të zhvillonim disa konferenca anëtarësimi gjatë presidencës gjermane. Kjo është më shumë e mundur për Maqedoninë e Veriut sesa për Shqipërinë.

Mesazhi që ne po marrin edhe nga shtete të tjera anëtare është se ka ende hezitim kur vjen fjala për Shqipërinë. Por, edhe nëse ne nuk do mund të avancojmë kaq shpejt me Shqipërinë, ne duhet të fillojmë negociatat dhe konferencat e anëtarësimit me Maqedoninë e Veriut. Sigurisht që ne do të donim të bënim të njëjtën gjë për Shqipërinë. Ne nuk e dimë se kur mund të jetë e mundur, por ky është objektivi ynë”, u shpreh ministri gjerman.

Kujtojmë se më herët kancelarja gjermane Angela Merkel bëri dallimin e qartë për çeljen e negociatave mes Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut.

Mergel gjatë prezantimit në marrjen e presidencës në PE u shpreh: “ne duhet të angazhohemi në negociata të anëtarësimit me Maqedoninë e Veriut dhe nëse është e mundur me Shqipërinë”.

Të fundit