Flash News

KRYESORE

‘Edhe një çerdhe është më e organizuar’, Tahiri revoltohet me prokurorët: Mos e shtyni më gjyqin, jam gati të sakrifikoj provat në favorin tim

‘Edhe një çerdhe është më e organizuar’,

Ish ministri i Brendshëm Sajmir Tahiri është paraqitur sot për herë të katërt në Prokurorinë e Krimeve të Rënda.

Edhe kësaj radhe gjyqi ndaj tij është shtyrë, gjë të cilën Tahiri nuk e ka pritur aspak mirë.

Ai e ka konsideruar papërgjegjshmëri humbjen e dëshmive, duke u shprehur se edhe një çerdhe është më e organizuar se Prokuroria e Krimeve të Rënda. Gjithashtu, ai ka shtuar se shtyrja për herë të tretë e procesit të tij është e qëllimtë

“E qëllimtë nga Prokuroria shtyrja e procesit tim për herë të tretë. Herën e parë, letrat që solli posta ishin të grisura. Hera e dytë, se policia s’kishte bërë njoftimet, ndërsa hera e tretë se Prokuroria ka humbur ca letra. Edhe një çerdhe është më e organizuar se kaq”, tha Tahiri.

Ai shtoi se është e pakuptueshme se si mund të humbin letrat në Prokurori,në një kohë kur ka një sistem, kur dihet kush i ka dërguar.

“Çfarë lloj serioziteti është ky kur me këto letra Prokuroria kërkoi në Parlament arrestimin tim? Sot këto letra nuk i paska dhe thotë më kanë humbur?’, u shpreh ish ministri i Brendshëm.

I pyetur nga gazetarët nëse kjo ishte e qëllimshme apo një gabim njerëzor, Tahiri tha se kjo është qesharake dhe se nuk donte t’ia dinte, duke shtuar se kush ka qëllim për të zvarritur gjyqin e tij ka gjetur një rrugë banale.

Gjithashtu, Tahiri deklaroi se është gati të sakrifikojë edhe provat në favorin e tij vetëm që gjyqi të mos shtyhet.

“Shpresoj të jetë mungesë vëmendje. Janë prova në favorin tim ato që kanë humbur, mjafton që gjyqi mos të shtyhet dhe unë jam gati të heq dorë nga disa dëshmi që janë në favorin tim”, u shpreh Tahiri.

Ai vazhdoi me tone të ashpra ndaj organit të akuzës, duke thënë se humbja e letrave të një procedimi penal që vazhdon prej dy vjetësh nuk ndodh as në dyqanin më të rëndomtë.

Të fundit