Flash News

OP-ED

Edi Rama mund të mashtrojë shqiptarët për vetting-un, por jo Strasburgun

Edi Rama mund të mashtrojë shqiptarët për vetting-un, por jo

Gentian Gaba

Sa herë Reforma në Drejtësi përplaset me dallgët e brendshme të politikës shqiptare, Kryeministri Edi Rama nxjerr nga arkivat kalin e vjetër të betejës mbi frikën që shkakton vetting-u në radhët e politikës shqiptare. Pikërisht sot, kur në seancën e fundit të Parlamentit projektligji i propozuar nga mazhoranca për kuotat e Shkollës së Magjistraturës u shty për në shtator, Rama, mungues në sallë, përsëriti nga Fejsbuku një këngë të vjetër:

“Vetting-u po vepron në pavarësi të plotë e monitorim ndërkombëtar. Fletërrufetë kundër Vetting-ut janë dëshpërimi i atyre që e mbushën me llum Pallatin e Drejtësisë! Loja mbaroi. Gjykatat e sipërme do pastrohen deri në fund e do ringrihen për ta bërë më në fund drejtësinë Drejtësi”.

Nëse kjo vegjë komunikimi kishte korrur sukses në kompleksimin e dikurshëm të Opozitës, e cila kërkonte sistematikisht zbatimin e Kushtetutës së 22 Korrikut dhe “vetting” të bazuar në rekomandimet e Komisionit të Venecias, që sipas saj, mbanin larg pushtetin politik nga ky proces; sot togëfjalëshi “frikë nga vetting-u” duket se është kthyer ne një sinonim të dështimit të mazhorancës për shkak të makutërisë së saj në rrugën e turpshme të kapjes së drejtësisë.

Zelli për të përshkruar veten si prurës të drejtësisë dhe për t’i faturuar opozitës dështimet e këtij procesi, ka qenë një nga operacionet më të mira të komunikimit të kryer nga qeveria dhe avatarët e saj në media. Ku shqiptarët, midis ndarjeve të tjera që iu ka falë historia, damkoseshin me një ndarje të re, atë midis atyre që e donin vetting-un, dhe të tjerët që tuten prej tij. Të gatshëm të bëjnë çdo gjë, edhe të ndalonin rrotullimin e tokës, vetëm për të ndaluar apokalipsin që do të sillte drejtësia e re.

Mirëpo, herët apo vonë, e vërteta e gjen gjithmonë një mënyrë për të shfaqur natyrën reale të çdo përpjekjeje, publike apo okulte, nëpërmjet provave dhe fakteve që imponon koha. Kështu, pasi “aleanca e qelbësirave” humbi eksponentët e saj aspak të lavdishëm si pasojë e “Dekriminalizimit”, të vendosur në agjendën politike nga ata që medemek kanë frikë nga vetting-u; pasi vendi u mboll fund e krye me hashash; pasi një nga eksponentët më të lartë të Partisë Socialiste është sot nën hetim si një qytetar i thjeshtë si pasojë e lidhjeve me trafikun ndërkombëtar të drogës; pasi emëruan një Prokurore të Përgjithshme të Përkohshme me një numër aspak fisnik votash, 69; pasi ministri aktual i Brendshëm u detyrua të dërgojë në burg të vëllanë, për të shpëtuar qeverinë; sot, nëpërmjet Këshillit te Lartë të Drejtësisë dhe Prokurores se Përgjithshme të Përkohshme, kërkojnë të emërojë dhe caktojë në pozicione kandidatët magjistratë të diplomuar, deri në krijimin e Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe Këshillit të Lartë të Prokurorisë. Pra, të vendosin me ligj anti-reformën; zvetenimin final të drejtësisë dhe ndarjes së pushteteve.

Megjithatë, edhe përballë fakteve, pa u skuqur dhe pa ndjerë turp, për një sistem në zgrip si pasoje e makinacioneve të veta, Rama vijon të sokëllije nga Fejsbuku se “loja mbaroi”; duke e vendosur veten në pozitat e atij që po sjell drejtësi, në atë “Pallat” të mbushur me llum. Mirëpo, nëse kjo retorikë ka ende efekt në disa xhepa të shoqërisë sonë, kryesisht ata që opinionin e formojnë nga ‘ERTV’ dhe mediat partnere, nuk mund të thuhet e njëjta gjë për 'Olimpin' e drejtësisë europiane, Strasburgun. Bëhet fjalë për pozicionin vakant në Gjykatën Europiane te të Drejtave të Njeriut, që Shqipëria nuk po plotëson dot qysh prej vitit 2016.

GJEDNJ është një institucion juridik mbikombëtar me karakter rajonal, i cili garanton respektimin e Konventës Europiane të të Drejtave të Njeriut. Brenda juridiksionit të saj hyjnë vendet që kanë ratifikuar Konventën, ndër to edhe Shqipëria.

Deri më sot, qeveria shqiptare ka nisur katër lista të ndryshme kandidatësh; 'sokolat' e tri brigadave të mëparshme janë kthyer mbrapsht nga Këshilli i Europës, e katërta do të shqyrtohet muajt në vijim, anipse duket se do të ketë të njëjtin fat; pasi në ecejake e katër listave, me tri kandidatë secila, ka të paktën dy konstante.

E para është prania në secilën prej tyre të Sokol Berberit, ish-gjyqtar i Kushtetueses qe dha dorëheqjen në 2016-ën pasi ishte kundër rrëzimit të ligjit të vetting-ut. Pra, kundër PD-së dhe pro PS-së. Ndërsa konstantia e dytë është se asnjë nga këta kandidatë nuk ka kaluar vetting-un.

Nëse emërimi i shumfishtë i Berberit është një e drejtë e posaçme e mazhorancës, pra e pakontestueshme; mos ushtrimi i procesit të rivlerësimit kalimtar (vetting-u) përbën padyshim arsyen pse kandidatët tanë ngelen në “klasën europiane”.

Ky ngërç dy vjeçar është pikërisht pasojë e skizofrenisë, shpirtit të ndarë, me të cilin trajtohet Reforma në Drejtësi. Sipas Ramës, vetting-u që po pastron “llumin” nga “Pallati i Drejtësisë”  së këtushëm, nuk është i nevojshëm për kandidatët që ai nis në Strasburg. Duke harruar se nga ato vise kanë ardhur fondet për të ngritur drejtësinë e re, e me siguri presin që një nga frytet e saj të jetë edhe një anëtar shqiptar i GJEDNJ, që mos të çojë “llum” në Europë.

Një qëndrim plotësisht logjik nga ana e Këshillit, i cili na tregon se Edi Rama mund të mashtrojë shqiptarët për vetting-un, por jo Strasburgun.

Të fundit