Flash News

KRYESORE

Edi Rama: Zyrtarizimi i negociatave në shtator; dera për Shqipërinë nuk është mbyllur

Edi Rama: Zyrtarizimi i negociatave në shtator; dera për

Në mbledhjen e Grupit Parlamentar të PS, pas kthimit nga Berlini, kryeministri Edi Rama tha se nuk kishte parrë kurrë keqinformim më të madh për një ngjarje ndërkombëtare, se ajo që ndodhi me samitin franko-gjerman. Sipas Ramës, samiti nuk ishte thirrur për negociatat e Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut me Bashkimin Evropian.

“Nuk kisha parë kurrë keqinformim më të madh mediatik të një ngjarje ndërkombëtare ku kam qenë pjesëmarrës. Samiti nuk kishte asnjë lidhje me negociatat për anëtarësim të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut në BE. Deklarata e samitit nuk kishte asnjë fjalë për temën e zgjerimit të BE-së sepse tema e samitit ishte bashkëpunimi rajonal dhe një pikë e veçantë dialogu Kosovë-Serbi”, tha Rama.

Kryeministri sqaroi për negociatat është folur vetëm në takimin dypalësh me kancelaren gjermane, Angela Merkel.

“Unë nuk shkova në takim për tu njohur me vendimin e Gjermanisë për negociatat në zyrën e Merkelit. Vendimi kalon nga Bundestagu gjerman”, tha ai.

Rama i konsideroi të vajtueshme, të shëmtuar dhe të turpshme përpjekjet në Tiranë për të lajmëtuar mbylljen e derës së negociatave.

“Gramafonët dhe filxhanët e Tiranës që lajmëruan kobin e zi të mbylljes së derës së negociatave, ishin thjesht dhe vetëm një shprehje ekstreme e dëshpërimit të gjithë atyre që duan të marrin me vete Shqipërinë në rrugën thej-qafes”, u shpreh Rama.

Kryeministri Rama shprehu besimin se këtë vit nuk do të mbyllet dera për negociatat, por Shqipërisë do i njihet merita.

“Nuk ka shqiptar që nuk e kupton se vendimmarrja për rajonin tonë nuk lidhet vetëm me çfarë bëjmë ne, por me çfarë ndodh në politikën e brendshme të disa vendeve. Kam shumë besim se nuk do na e mbyllin derën e asaj paradhome këtë vit. Jo vetëm që nuk bëhet llaf që Shqipëria e ka derën e mbyllur, por na kanë siguruar për njohjen e meritës së Shqipërisë për zyrtarizimin e çeljes së negociatave. Nga një anë vitin e kaluar jo ne, por Këshilli Evropian shkruajti se në qershor do të jepet vendimi pozitiv dhe në fund të vitit do të zhvillohet konferenca ndërqeveritare, dhe nga ana tjetër pikërisht sepse i kishte kryer të gjitha detyrat, Shqipërisë i është lejuar të nisë një proces që tradicionalisht niset kur negociatat hapen zyrtarisht”, tha Rama.

Sa i përket qëndrimeve të Berlinit dhe Parist për negociatat, Rama theksoi se shtyrja për në shtator e marrjes së vendimit lidhet për shkak të kohës që kërkon Bundestagu për analizimin e raportit dhe me përfundimin e zgjedhjeve për Parlamentin Evropian.

“I vetmi problem i miqve gjermanë është se koha fizike nga dalja e rekomandimit të Komisionit deri në mbledhjen e Këshillit, është shumë e shkurtër. Është folur për shtatorin nga pala gjermane, por kurrsesi për mos hapjen e negociatave. Sa i përket Francës, duhet të pritet përfundimi i zgjedhjeve për Parlamentin Evropian”, deklaroi Rama.

Të fundit