Edita Tahiri: Samiti Merkel-Macron i dha fund gabimeve historike të Thaçit dhe Ramës

Ish-kryenegociatorja në bisedimet me Serbinë, Edita Tahiri tha se samiti i Berlinit i jep fund idesë së ndryshimit të kufijve mes Kosovës dhe Serbisë. Në një intervistë për RTV Ora, Tahiri tha se Rama dhe Thaçi janë humbës që kanë gabuar historikisht. Sipas Tahirit, Kosova dhe Serbia duhet të ndjekin modelin gjermano- francez për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve.

“Samiti i sotëm ka një rëndësi historike sepse merr procesin e dialogut, i cili ishte duke shkuar keq, ishte duke shkuar në drejtim të ndryshimit të kufijve. Ky samit i cili shpreh qëndrimin gjerman kundër ndryshimit të kufijve, pra e ndal këtë proces që do të ishte i dëmshëm dhe e ve në drejtimin e duhur që dy shtetet, Kosova dhe Serbia të ndjekin modelin gjermano- francez, i cili është një shembull inspirues, sesi dy shtete që kanë qenë në luftë zgjidhin ato mosmarrëveshjet mes tyre. Ky samit i jep fund gabimeve historike të Thaçit dhe Ramës dhe na nxjerr fitues neve që ishim kundër ndryshimit të kufijve, veçmas mua më ve në pozitat fituese. Unë si kryenegociatore për 7 vjet e kam ndaluar çdo tendencë të Serbisë që të flitet për territore. Unë kam krijuar një proces të fqinjësisë së mirë dhe integrimit të veriut në Kosovë. Sot Thaçi dhe Rama e kuptuan që janë humbësit dhe janë liderë që kanë gabuar historikisht”, u shpreh Tahiri.

Edita Tahiri tha se është në kontakt me autoritetet gjermane dhe, sipas saj, Merkel është e nervozuar për faktin se ka ende liderë që provojnë prekjen e kufijve.

“Kancelarja Merkel është e nervozuar. Unë jam në kontakt me autoritetet gjermane. Është e nervozuar me faktin që ka liderë shkurtpamës që provojnë prekjen e kufijve, provojnë të kthejnë kohës pas, të rikthejnë armiqësitë e vjetra dhe luftërat e reja”, deklaroi Tahiri.