Flash News

KRYESORE

Editoriali i ‘Revistës Monitor’: Shqipëria po fle mbi ‘bombën’ e borxhit të fshehur nga koncesionet

Editoriali i ‘Revistës Monitor’: Shqipëria po fle mbi

Revista Monitor, e specializuar në fushën e ekonomisë, ka publikuar një editorial me titull “Kriza e sovranit”, ku trajton rritjen e borxhit publik për shkak të koncesioneve që po jepen nga qeveria e Edi Ramës.

Në këtë analizë, ‘Monitor’ niset nga dy shifrat e ndryshme që qeveria dhe KLSH japin për nivelin e borxhit publik në Shqipëri, respektivisht 70% dhe 72%.

“Përderisa kemi dy pretendime të ndryshme, thelbi i problemit bëhet i qartë. Financat publike duket se kanë dalë nga kufijtë e ligjit që përcakton qartë se si rrjedh dhe pasqyrohet borxhi publik. Por pse ndodhi kjo tani? Ngjizja e krizës lidhet politikisht me qasjen që qeveria ka ndaj koncesioneve. Ajo angazhohet që të shlyejë paratë që do të investohen nga privati, por pa e përfshirë këtë detyrim si borxh. Ndërkohë, qeveria, megjithëse krijon një borxh, nuk jep llogari për koncesionet në Kuvend. Po shikojmë që për koncesione të ndryshme aplikohen formula të ndryshme shlyerje, çmimet e koncesioneve janë shumëfishuar, kanë kapërcyer të paimagjinueshmen si p.sh., në koncesionin e deklaruar së fundmi për ndërtimin e rrugës Kashar – Thumanë, i cili e ka koston e ndërtimit të një kilometri më të lartë se Rruga e Kombit (rekordi historik dhe për të cilin pati hetime)”, shkruajnë drejtuesit e kësaj reviste.

Edhe pse formalisht duke sikur kemi stabilitet makro, ‘Monitor’ paralajmëron se poshtë fle bomba e borxhit të fshehur nga koncesione, që pritet të arrijnë në 3 miliardë euro, ndërkohë që sjell në vëmendje edhe falimentimin e Greqisë.

“Formalisht duket sikur kemi stabilitet makro, por poshtë tij fle bomba e borxhit të fshehur nga koncesione, që pritet të arrijnë në 3 miliardë euro, ose ¼ e PPB-së. Borxhi i koncesioneve dhe detyrimet e prapambetura, që kanë arritur në 1.7% të PPB-së, nga njëra anë, dhe paaftësia për të rritur ekonominë dhe të ardhurat, janë një flakë që dikur e dogji Greqinë”, shkruhet në editorial.

Qeveria ka dy opsione se si mund përballojë rritjen borxhit: “Për të paguar këtë borxh që po rritet drejt së ardhmes e që nuk mund të fshihet më, siç po mundohet të bëjë qeveria, ka dy opsione, ose të rrisë më tej taksat, ose të ulë shpenzimet. Të dyja këto janë goditja më e rëndë dhe më e drejtpërdrejtë që merr mirëqenia e çdo qytetari shqiptar.”

‘Monitor’ e mbyll në këtë mënyrë editorialin: “Por siç duket, me këtë borxh të lartë publik, si një lak shtrëngues që do të mblidhet dhe më shumë në të ardhmen, hapësirat për të marrë frymë mbeten të vështira. Ndaj sa më parë, sa më shpejt, mënyra se si paratë publike duhet të shpenzohen, të kthehen brenda ligjit dhe të kontrollohen nga publiku. Ndoshta këtë gjë, rilindja nuk do ta bëjë, siç ka demonstruar me kokëfortësi, pavarësisht kërkesave të përsëritura edhe nga institucionet më serioze ndërkombëtare. Por, ama, publiku duhet ta dijë se çfarë menyje po iu ofron tepsia e pushtetit dhe që duhet të gëlltisë edhe për disa vite rresht në të ardhmen.”

*Editorialin e plotë të ‘Revistës Monitor’ mund ta lexoni këtu => “Kriza e sovranit”

Të fundit