Flash News

KRYESORE

Edmond Spaho: Kërkojmë largimin e Ramës, jo zgjedhje të parakohshme

Edmond Spaho: Kërkojmë largimin e Ramës, jo zgjedhje të

Nënkryetari i Partisë Demokratike, Edmond Spaho ka theksuar se opozita asnjëherë nuk ka qenë kundër dialogut për zgjidhjen e krizës politike, por kushti i saj ka qenë dhe mbetet largimi i kryeministrit Edi Rama.

Në emisionin ‘Top Talk’ në Top Channel, Spaho tha se Ramës i dha mundësia në 2017-ën për të organizuar zgjedhje të lira, por vendosi të bashkëpunojë me krimin për të manipuluar votat.

“Nuk kemi thënë që jemi kundër dialogut, përkundrazi kemi paraqitur një platformë me 10 pika, që mund të shërbejë si bazë për dialog. Kemi  pranuar edhe negocimin ndërkombëtar për dialog, sikurse e dini që dy deputetë të Parlamentit gjerman, njëri prej të cilëve mjaft i rëndësishëm; është praktikisht kryetar i grupit CDU/CSU-së, kanë ofruar ndërmjetësim. Ajo që nuk pranojmë është që të negociojmë me Edi Ramën si Kryeministër dhe nuk pranojmë që ai të jetë Kryeministri i një qeverie provizore, e cila duhet të ketë detyrën për të krijuar kushtet për të bërë zgjedhje të lira dhe të ndershme. Nuk është kapriço e jona, nuk është kokëfortësi”, tha Spaho.

Ish-kreu i Grupit Parlamentar të PD-së deklaroi gjithashtu se opozita nuk po kërkon në këtë fazë që vendi të shkojë në zgjedhje të parakohshme parlamentare, sepse do të ishte e pamundur arritja e standardeve për zgjedhje të lira në një periudhë 45 ditore.

“Nuk besoj se do të futemi në zgjedhje të parakohshme për 45 ditë edhe nëse Edi Rama është i gatshëm ta bëjë këtë hap, sepse këtu po flitet për rregullat që zgjedhjet të mos manipulohen më. Jo më kot ne kemi nxjerrë një platformë prej 10 pikash, të cilat përbëjnë detyrat për zgjedhje te ndershme”, argumentoi zoti Spaho.

Situata politike në vend ka marrë një kthesë 180 gradë pas sugjerimit të partisë gjermane  CDU/CSU, e kancelares Angela Merkel, për shtyrjen e zgjedhjeve lokale të parashikuara për në 30 qershor. Edhe presidenti i Republikës, Ilir Meta, tha sot se ishte i gatshëm të shtynte datën e zgjedhjeve, ndërkohë që kryeministri Rama vijon të rezistojë në qëndrmin e tij kundër.

Të fundit