Flash News

KRYESORE

Eduart Kapri bën bilancin e katër viteve: Tani, Pogradeci në duart e një të emëruari

Ish-kryebashkiaku i Pogradecit, Eduart Kapri ka falenderuar qytetarët për bashkëpunimin 4-vjeçar. Në një postim në Facebook, ai e cilëson kryebashkiakun e PS, Ilir Xhakolli, dalë nga procesi i 30 qershorit si të emëruar ndërkohë që ka bërë publik edhe bilancin e tij.

“Gjatë këtij mandati ndjehem krenar që ja dolëm të menaxhojmë një bashki të mbytur në borxhe dhe në fund, jo vetëm që përgjysmuam borxhin por siguruam financimin e çdo shërbimi dhe projekti dhe njëkohësisht dyfishuam të ardhurat me taksa më të ulta”, shkruan ai.

Kapri u largua sot nga zyra në orën 16:00 duke ia lënë derën hapur pasardhësit të tij, i cili sapo është betuar.

Statusi i plotë:

Të dashur bashkëqytetarë !

Si sot para 4 vitesh mora detyrën si kryetar i Bashkisë Pogradec!

Dua t'ju falenderoj me mirënjohje për mbështetjen dhe besimin që më dhatë mundësi , të kem privilegjin e drejtimit të bashkisë Pogradec, në detyrën e Kryetarit.

Pas 4 vitesh sot më duhet t'ju falenderoj në rrethana që askush nuk e dëshironte.

Për herë të parë do të ketë një Bashki të emëruar dhe jo të zgjidhur nga vullneti i shumicës.

E kuptoj që shumica juaj ndihen të dhunuar nga kjo arrogancë që nuk po le gjë pa kapur , por bashkë do ti bëjmë ballë deri në kthimin e drejtësisë.

Jam përpjekur dhe besoj të kem bërë më të mirën e mundshme për të mbajtur premtimet e dhëna për të cilat ju më votuat.

Gjatë këtij mandati ndjehem krenar që ja dolëm të menaxhojmë një bashki të mbytur në borxhe dhe në fund, jo vetëm që përgjysmuam borxhin por siguruam financimin e çdo shërbimi dhe projekti dhe njëkohësisht dyfishuam të ardhurat me taksa më të ulta.

Më poshtë po ju rendis disa nga projektet më të rëndësishme të realizuara gjatë mandatit tonë 4-vjeçar, ndër të cilat përmëndim:

-Sistemimi i "Bllokut Përroi i Çaprazit" lagjja nr 4.

- Rikonstruksion , Rruga Industriale (tregu)

-Rikontruksion i Bllokut Rinia dhe rrugës Gent

-Sistemim rrugësh te "Blloku i Stadiumit"

-Rehabilitimi i Bllokut , tek lagjia nr 1 (ish ferma )

-Ndërtim asfaltim i rrugës që të çon te varrezat Gurras, sistemimi i varrezave dhe ndërtimi i një godine të re funerale.

-Rikontruksion total i shkollave :Muharrem Çollaku , Kozma Basho, Gjergj Pekmezi, Sami Zgjani.

-Restaurim total i Qendrës Ditore për personat me aftësi ndryshe.

-Ndërtimi i rrugës dhe sistemi i varrezave në fshatin Blacë.

-Restaurimi i sheshit "Veterani"

-Zëvendësimi i të gjithë ndriçuesve të zakonshëm , me ndriçues smart.

(Ksenon dhe Led)!

-Rehabilitimi total i lagjes Goricë.

-Ndërtimi dhe asfaltimi i unazës të qytetit.

-Sistemimi dhe asfaltimi i bulevardit "Kajo Karafili".

Arritëm të mbyllim dhjetra projekte, edhe pse qeveria nuk e mbështeti Pogradecin në nivelin që i takonte.

Ja dolëm që liqeni i Pogradecit të bëhet pjesë e Uneskos , e po ashtu të bindnim donatorët për projektin madhor të Parkut të Drilonit dhe rrugës Pogradec - Tushemisht.

Jam përpjekur të krijoj modelin e një kryetari që është qytetar si gjithë të tjerët, e që është përkohësisht në detyrën e kryetarit të Bashkisë, ku çdo banor i Bashkisë Pogradec pa dallim bindjeje politike të trokiste drejtpërdrejt dhe në çdo kohë në Bashki për të paraqitur shqetësimet e tij personale apo qytetare.

Jam përpjekur që çdonjërit të mos i mohoj të drejtën që i takon, apo të mos i qaj hallin.

U kërkoj ndjesë çdo banori që është ndjerë i prekur apo i lënduar nga veprimet apo mosreagimit tim që nuk i kam dhënë mundësi, ti jap zgjidhje problemit që ata kanë pasur, por asnjëherë nuk jam nisur ti bëj keq asnjërit prej jush.

Në përfundim kam një falenderim për të gjithë qytetarët e mi, stafin e Bashkisë, me besimin se shumë shpejt do ja dalim të kthejmë besimin se Pogradeci do meritojë më të mirën.

Me respekt dhe mirnjohje Eduart Kapri.

Të fundit