Flash News

KRYESORE

Elisa Sporiopali: LSI, e përvëluar siç është për Shqipërinë, duhet të festonte me mish, raki e dolli për Marrëveshjen

Elisa Sporiopali: LSI, e përvëluar siç është për

Një yll i LSI që nxjerr xixa sa herë e cek guri zmeril i vijës së partisë, më paska përmendur sërish gjithë indinjatë. Më paska kujtuar shprehjen time në Shkodër se ideja e qeverisë së besimit është shtysa për qeverinë e pabesisë. E më paska pyetur Ylli po kjo që u bë tani çfarë është a nuk është pabesi vallë? Fjalët janë të miat, mos më kërkoni ta citoj Yllin e Dritës së zmerilit llaf per llaf se jo unë, po burrë nënë nuk e bën dot!

Kjo që u bë o Yll i Dritës, është ajo që i duhej Shqipërisë dhe LSI e përvëluar siç është për Shqipërinë duhet të festonte akoma sot me mish, raki e dolli! Por fakti që ti me pyet dhe që nuk ndjehet askund tingull muzike, erë kukureci apo entuziazëm rakie aty në oborrin tuaj, më vë në mendime. Pse të jeni kaq të menduar vallë?

Ju ishit ata që na i bëtë televizorët kisha e xhamia dhe na zëvendësuat priftërinj e hoxhallarë me predikimet tuaja për dialog e për konsensus mes partive të mëdha. Ju ishit ata që na u bëtë tellallet e nevojës për stabilitet dhe të domosdoshmërisë për të shmangur turpin e patregueshem të zgjedhjeve pa opozitën. Ju ishit ata që ishit bërë gati të iknit edhe vete nga zgjedhjet atë natën e marrëveshjes dhe na e bëtë McAllisterin si Jezuin të cilit i'u bënë apostuj edhe Duka edhe Mediu edhe Kreshniku edhe Vasili edhe Nardi. Madje edhe Idrizi edhe Dulja që harruan Çamëri e Greqi për McAllisterin që as nuk e dinte fare se ishte bërë me dishepuj në Tiranë pasi e përzunë duarbosh nga Tirana.

Unë nuk e di çfarë shpjegimi t'i gjej gjendjes së përzishme që u ka zënë për habinë time te madhe o Ylli i Dritës. Madje jam e habitur që as vete Luani juaj që e ka një shpjegim të pashpjegueshëm për gjithçka, nuk ka pipëtirë për këtë arritje të madhe tuajën! Doli nga strofulla për të thënë se ai do fitojë duke ndenjur në bisht dhe jo në ballë të dërgatës suaj për Tiranën dhe u zhduk.

Mbase as ju vetë se kuptoni që gatishmëria juaj e përsëritur deri në mërzi për t'u sakrifikuar për Shqipërinë duke sakrifikuar qeverinë, është një shtysë e pamohueshme për realizimin e marrëveshjes. Por jam e bindur se në 25 qershor do filloni ta kuptoni edhe vete se të mirë më të madhe, ju nuk mund t'i bënit dot Shqipërisë!

Të fundit