Flash News

KRYESORE

Emrat/ Shkarkohen drejtuesit e SHISH që denoncuan kanabisin, njeriu i Ramës i zëvendëson me ish-punonjës të sigurimit

Emrat/ Shkarkohen drejtuesit e SHISH që denoncuan kanabisin, njeriu i

Pa kaluar 2 muaj nga largimi i Visho Ajazit, zëvëndësi i tij, Helidon Bendo largoi nga detyra të gjithë drejtuesit e mëparshëm. Spastrimi në SHISH gjatë kësaj kohe është rrënjësor dhe stafi i vjetër drejtues është lëvizur.

Lapsi.al ka siguruar një listë me emrat e drejtuesve të SHISH që u zbritën në detyrë me urdhër të drejtuesit aktual, Helidon Bendo. Vlen të thuhet se një pjesë e të shkarkuarve kanë marrë vlerësime nga partnerët e huaj, në veçanti nga SHBA, ndërsa të gjithë janë bashkëhartues të raporteve të zbulimit të policëve të implikuar në trafik droge.

Janë zbritur në detyrë Drejtori i Zbulimit, Drejtori i Kundërzbulimit, Drejtori i Bërthamës së Brendshme dhe të Jashtme të Shërbimit, Drejtori i Drejtorisë kundër Krimit të Organizuar, Drejtori i Krimit Ekonomik dhe Korrupsionit, Drejtori i Arshivës Sekrete, Drejtori i Personelit, dhe Drejtorët e të gjithë qarqeve.

Lista me emrat e shkarkuar nga detyra

  1. ish Drejtori i Zbulimit, Ferdinand Nuku
  2. ish Drejtori i Kundërzbulimit, Kujtim Prifti
  3. ish Drejtori kundër Krimit të Organizuar, Robert Tuci
  4. ish Drejtori i Arshivës Sekrete, Nestor Babameto
  5. ish Drejtori i Sigurisë së Personelit, Astrit Qinani
  6. ish drejtori i Tiranës, Nevzat Shehu dhe dy ish nëndrejtorët
  7. ish Drejtori i Durrësit, Tonin Prendi
  8. ish Drejtori i Dibrës, Bardhok Gega
  9. ish Drejtori i Krimit Ekonomik dhe Antikorrupsionit, Hazbi Brahja

Raportohet se mes emrave që i kanë zëvëndësuar të larguarit nga detyra ka ish-inspektorë, për disa prej të cilëve ka pasur masa disiplinore, ndërsa pjesa më e madhe të emëruarve janë ish punonjës të sigurimit të shtetit.

Lista me drejtuesit e rinj të emëruar në detyrë

  1. Mevlut Matraku, drejtor i Performancës (krijohet drejtori e re)
  2. Refail Milo, Drejtor i Administratës- (krijohet drejtori e re)
  3. Qerim Dede, Drejtor i Sigurisë në Aparatin Qëndror
  4. Gëzim Bime, drejtor në KKE në Aparatin Qëndror
  5. Agim Karalliu, Drejtor i SHISH në Tiranë
  6. Ilir Tafa, Drejtor i SHISH, Durrës
  7. Eltjon Nikolla, Drejtor i SHISH në Fier
  8. E drejtor i SHISH në Elbasan
  9. S, Drejtor i SHISH, Sarandë
  10. Astrit Alija Drejtor i SHISH, Dibër
  11. Ismail Salliu Drejtor i SHISH, Vlorë,
  12. Xhevdet Zeqo, Drejtor i SHISH, Gjirokastër,
  13. Julian Marku Drejtor i KKON në AQ

Vetë Bendo ka një bashkëpunim të gjatë me ish drejtuesit e shkarkuar, pasi ka qenë zëvëndës i Visho Ajazi Likës. Për momentin, Helidon Bendo, mbetet drejtuesi i komanduar i Shërbimit Informativ Shtetëror dhe ende nuk është dekretuar nga Presidenti Ilir Meta.

Në kulmin e lulëzimit të kanabisit, nga mesi i vitit 2016, në tryezën e Edi Ramës nisën të bëhen më të shpeshta informacionet për implikimin e policëve në biznesin e drogës.

Gjithsej 59 raporte me informacione për 127 policë të survejuar nga agjentët e SHISH, rrodhën në media pak muaj më parë.

Në këto dokumenta u përmendën për herë të parë Jaeld Çela, Sokol Bode dhe Gjergj Kohila, policët e dosjes Tahiri, që konsiderohen hallkat kyçe në zinxhirin që lidh kampionët e qeverisë me nënkampionët e kanabisit.

Prokuroria e Krimeve të Rënda i përdori atëherë disa sinjale të SHISH si pikënisje për dosjet hetimore.

Qeveria heshti.

Të fundit