Flash News

KRYESORE

Eni Vasili merr të enjten në ‘News 24’ dhe kujton historinë me Fevziun: Më mori monitorët në Tv Klan. ‘Studio e Hapur’ larg çdo pazari

Eni Vasili merr të enjten në ‘News 24’ dhe kujton

Politiko.al raportoi më 8 janar se pas largimit të Ylli Rakipit nga ‘News 24’, e enjta politike në këtë televizion do i kalonte gazetares Eni Vasili, e cila drejton emisionin ‘Studio e Hapur’. Sot, Vasili ka konfirmuar këtë ndryshim të programit, që tashmë do të transmetohet çdo të henë, të martë dhe të enjte.

Me anë të një shkrimi me titull “Pse e enjtja ime është ndryshe”, Eni Vasili thotë se hyn në garën e të enjtes përballë kolegëve Blendi Fevziu, Sokol Balla, Ylli Rakipi dhe Artur Zheji.

Vasili kujton edhe një ngjarje të shumë viteve më parë, kur realizonte emisionin “Kosova deri kur”, në Tv Klan, kur Fevziu u transferua në këtë televizion pas largimit nga RTSH dhe drejtuesit vendosën t’i merrnin monitorët që ajo kishte në studion e saj. Tashmë, dy gazetarët do përballen sërish, në televizione të ndryshme.

Eni Vasili kritikon edhe kolegët e saj, në televizionet e tjera, kur thtoë se do qëndrojë “larg çdo kompromisi me politikën, larg çdo pazari në paradhoma kryeministrash apo ministrash, larg çdo konjukture që i bën emisionet, misione interesash personale.”

Ajo flet edhe për luksin e kolegëve të saj apo për miqësitë personale që ata kanë me politikanët, ndërkohë që lajmëron se i ftuar i të enjtes së parë është kryetari i opozitës, Lulzim Basha, përballë analistëve Fatos Lubonja dhe Robert Rakipllari.

Pjesë nga shkrimi:

Kjo logo, e stacionuar që nga krijimi, të martave, hyn tashmë në garën e së enjtës që në fakt është një garë e induktuar nga emisioni “Opinion” i Blendi Fevziut  i cili daton më herët se të gjithë në tregun e programeve me tematikë politike. Asokohe, ende studente, unë drejtoja lajmet qendrore në RTSH dhe më pas, për një periudhë të shkurtër edhe në Tv Klan. Mbaj mend që në përfundim të një emisioni tematik që drejtoja ne TV Klan, “Kosova deri kur”, dedikuar luftës në Kosovë, monitorët e shumtë që përbënin skenografine time, u adoptuan për një skenografi  të përkohshme për emisionin “Opinion”, që në atë kohë u spostua nga RTSH në Klan.

Por në fakt e kujt është e enjtja ?

E Fevziut, Ballës, Zhejit apo e Rakipit? E politikës apo e televizioneve? E pronarëve apo e gazetarëve?

Unë mund të përgjigjem për të enjten time. Ajo është e publikut. Ndaj nuk ka çmim, ndaj nuk ka rivalë.

E enjtja ime ashtu si e hëna dhe e marta, janë platforma të sinqerta që prej më shumë se një dekade drejtohen ekskluzivisht nga interesi publik, larg çdo kompromisi me politikën, larg çdo pazari në paradhoma kryeministrash apo ministrash, larg çdo konjukture që i bën emisionet, misione interesash personale.

E imja do të jetë një e enjtë pa qoka pushtetesh dhe as bonuse partish, ku nuk mban erë loje politike dhe as afere përqindjesh, gjobash, tenderash, vendesh pune në dogana apo Ambasada.

E enjtja ime ashtu si e hëna apo dhe e marta “historike”, janë mundi dhe sakrifica e një gruaje në gazetari, në përpjekje për të garuar me dinjitet dhe integritet, në një treg të deformuar interesash burro-politiko-personalo-bizneso gazetaraske, ku më i “pëlqyeri” është ai gazetar gjobaxhi që di të bëjë shantazhin e rradhës me pushtetin, për të arritur më pas marrëveshjen e pritur, ai që ka jo vetëm orën më të shtrenjtë dhe makinën tip i fundit, por kalon me krenari e karshillëk edhe fundjavat e pushimet, me politikanë e bankierë, për t’i intervistuar më pas rehatshëm e mërzitshëm të enjteve tona.

Të fundit