Flash News

KRYESORE

Enver Hoxha, i marrosur pas Stalinit. Si u ngrit kulti i diktatorit sovjetik në Shqipëri

Pas prishjes së marrdhënieve me Jugosllavinë, Enver Hoxha i ktheu sytë nga “Baba” Stalini i Bashkimit të madh Sovjetik. Vendin e portreteve të Titos, përgjatë viteve 1945-1948, tash e mbrapa do ta zinin portretet e Stalinit dhe parrullat e stërmëdha do t’i thurnin lavde “miqësisë” me Stalinin dhe BS. Për më shumë se katër dekada, 1950-1990, në Shqipëri kishte dhjetëra monumente të Stalinit, rrugëqë mbanin emrin e tij, kombinate, qytet, hidrocentrale, uzina, kooperativa, etj, të pagëzuara me emrin e diktatorit sovjetik, një prej përçmuesve të kombit shqiptar. Por, gjithçka mori fund në mbrëmjen e 21 dhjetorit 1990, pas 40 vjetësh, kur vetë Partia e Punës,  e trembur për shembjen e shpejtë të tyre, i hoqi monumentet e Stalinit sipas një skenari me të vërtetë stalinist, në mes të natës larg vëmendjes njerëzore.

***

Marrdhëniet diplomatike midis Shqipërisë dhe BS-së do të vendoseshin në vitin 1934, marrëdhëniet që mbetën në nivel të ulët dhe diplomatët sovjetikë në Athinë, mbulonin edhe çështjet shqiptare. Lidhje të afërta simpatie do të krijoheshin pas 8 nëntorit 1941, kur do të krijohej PKSH, e cila, në 1943, do të kishte si drejtues të saj Enver Hoxhën.

Me mbarimin e luftës, sipas porosisë sovjetike, Shqipëria do të lihej nën ndikimin e plotë të Beogradit dhe, pas prishjes të marrëdhënieve sovjeto-jugosllave, do të kalonte nën varësinë e plotë të Beogradit. Për këtë arsye figura e Stalinit në Shqipëri filloi të hiperbolizohej pas vitit 1948. Më 14 – 26 korrik 1947, Kryeministri dhe Sekretari i Përgjithshëm i PKSH-së, Enver Hoxha, zhvilloi një vizitë në Bashkimin Sovjetik, duke takuar më 16 korrik, Stalinin. Në Kongresin e I të PKSH-së, në nëntor 1948, sipas porosisë së Stalinit, Enver Hoxha i propozoi delegatëve ndërrimin e emrit të Partisë, nga PKSH në Partia e Punës së Shqipërisë, emër që Partia do ta mbante deri në emrin e ri të vitit 1991. Një vizitë tjetër, Hoxha do ta bënte në mars 1949. Gjithçka më pas rrodhi sipas Stalinit e për Stalinin.

Masivizimi i Kultit të Stalinit

Dhjetori është muaji i lindjes së Stalinit dhe për servilizëm, Enver Hoxha të gjitha veprimtaritë e tij dhjetorit të vitit 1950, edhe pse nuk ishte ndonjë përvjetor,  ia dedikoi diktatorit Stalin. Viti 1950 shihet si vit i fillimit të përhapjes masive të kultit të Stalinit në Shqipëri. Pas kësaj, kudo në Shqipëri do viheshin pa fund emra të Stalinit, buste e monumente. Emri i këtij diktatori mizor do respektohej në Shqipëri si në asnjë vend tjetër të botës. Filloi kështu një epokë e përurimit të veprave staliniste. Gazeta “Bashkimi” e datës 2 dhjetor 1950 njofton dekorimin e ministrit fuqiplotë të BRSS-së në Tiranë Dimitri Çuvakin, si dhe një sërë personash të tjerë që ishin gjendur në Tiranë me rastin 6 -vjetorit të festimit të ardhjes së komunistëve në pushtet.

Kuçova mori emrin Qyteti “Stalin”

Gazeta e datës 20 dhjetor 1950 hapet me një lajm të madh: “Qytetit të Kuçovës dhe Kombinatit të Naftës u jepet emri “Stalin”.  Kjo gjë bëhej pasi në BS kishte një qytet me emrin Stalingrad (tani Vollgograd) dhe qytete të tjera me emrin “Stalin” në Poloni, në Gjermaninë Lindore, në Hungari dhe Bullgari. Nxitoi edhe Shqipëria të kishte nëj qytet me emrin e tij.

Gazeta njofton dekretin nr.1200, datë 19.12.1950 të Presidiumit të Kuvendit Popullor, i cili është formuluar me këto fjalë:

Me rastin e 71 vjetorit të ditëlindjes së udhëheqësit të madh dhe të dashur të gjithë popujve liridashës, farkëtonjësit të të gjitha fitoreve kundër fashizmit, frymëzuesit të popujve në mbrojtjen dhe konsolidimin e paqes, mikut më të dashur dhe më të shtrenjtë të popullit tonë, Josif Visarionaviç Stalin, në shenjë kujtimi, mirënjohjeje dhe respekti vendosi:

1-Qytetit të Kuçovës i jepet emri Qyteti Stalin.

2-Ky dekret hyn në fuqi menjëherë”.

Dekreti është nënshkruar nga presidenti Omer Nishani dhe sekretari Sami Baholli.

Po atë datë, nuk mund të rrinte mbrapa Këshilli i Ministrave. Me anë të vendimit nr.1079, u vendos që Kombinati i naftës Kuçovë – Patos të merrte emrin “Kombinati i Naftës Stalin”.

Vendimi përligjej se merrej “në shenjë mirënjohje e respekti”, në kuadër të 71-vjetorit të lindjes së Stalinit dhe meritave të tij si “udhëheqës i madh i gjithë popujve përparimtarë të botës, miku më i dashur i popullit shqiptar”.

Gazeta e këtij numri kishte kryeartikullin: “Udhëheqësi gjenial i gjithë njerëzimit përparimtar”.

Por me rastin e 71-vjetorit të Stalinit, Enver Hoxha i dërgon një telegram urimi atij. Një të tillë ia kishte nisur edhe një vit më parë, me rastin e 70-vjetorit të lindjes. Në atë kohë, Stalini ishte edhe kryeministër i Bashkimit Sovjetik. Për këtë arsye, Enver Hoxha mbante postin e kryeministrit dhe Sekretarit të Përgjithshëm të Partisë, sepse ashtu kishte bërë edhe idhulli i tij. Më 20 dhjetor 1950 në Tiranë u organizua një mbledhje solemne me rastin e ditëlindjes së Stalinit.

Më 21 dhjetor 1950 zhvillohen ceremonitë në Kuçovë dhe Elbasan. Në Kuçovë për vendosjen e emrit të qytetit dhe të Kombinatit të naftës, ndërsa në Elbasan për të përuruar hekurudhën e katërt, atë Peqin – Elbasan, e cila ishte ndërtuar në veprat kryesore të saj nga të burgosurit, kryesisht politikë, të kampeve të Bishqemit dhe të Urës së Bonës.

1951, Stalini në Tiranë

Duke vazhduar në rrugën e stalinizimit të plotë të vendit, më 5 nëntor 1951 u përurua në Tiranë monumenti i Stalinit, sipas vendimit që kishte marrë Kuvendi Popullor në mbledhjen e tij të 11 janar 1951, ku fjalën e rastit e mbajti Hysni Kapo. Ky monument ishte vepër e një skulptori të madh rus, por që monumenti i kushtoi shumë shtrenjtë populli, pasi Moska ia shiti monumentin, nuk ia dhuroi, Shqipërisë. Një ditë më vonë, më 6 nëntor doli edhe vëllimi i parë i veprave të Stalinit, botuar nën kujdesin e një komisioni të posaçëm që drejtohej nga Mehmet Shehu. Kjo seri veprash si dhe të tjera të Stalinit vijuan deri vonë në mesin e viteve 80-të. Edhe Enver Hoxha kishte një koleksion veprash deri në ditën e vdekjes në prill, që numëronte mbi 40 vepra.

Në Tiranë, një kryqëzim mori emrin '21 Dhjetori', dhe që prej asaj kohe, edhe sot e kësaj dite, mban po atë emër, pavarësisht se sheshi i mban tjetër emër, por të gjithë i thërrasin “21 Dhjetori”, apo te “21 –shi” dhe shumë pak njerëzve u shkon në mendje se ky emërtim i këtij kryqëzimi ka të bëjë me ditëlindjen e Stalinit, 21 dhjetor 1879.

Enver Hoxha, në gjunjë para monumentit të Stalinit

Kulmin e servilizmit regjimi komunist dhe Enver Hoxha e patën në vitin 1953, kur diktatori dha shpirt. Vdekja e tij i “pikëlloi” shumë komunistët shqiptarë, prandaj, me një ceremoni madhështore, u bë një varrim i supozuar i Stalinit edhe në Tiranë. Diktatori shqiptar detyroi të madh e të vogël të binte në gjunjë në sheshin para monumentit të tij. Ditë zie në Tiranë, edhe pse askush nuk e ftoi udhëheqësin tonë të marrë pjesë në varrimin e diktatorit Stalin në Moskë.

Përulja dhe servilizmat dhe lojërat ndaj Stalinit vijuan edhe pas ndërprerjes së marrdhënieve dilomatike më BS, madje edhe kur regjimi i vendosur në Moskë kundërshtonte, shante e kritikonte hapur Stalinin. Enver Hoxha kishte më shumë nevojë për Stalinin, edhe të vdekur, pasi e hiqte veten si pasues të mësimeve të tij dhe që po mbronte një kauzë të madhe në botë. Kulti i Stalinit vijoi gjatë. Me rastin e 100-vjetorit të lindjes së tij, më 1979, përsëri të gjitha bateritë për Stalinin. Bust i punuar nga Kristaq Rama, monument nga Odhise Paskali, portrete e tablo të ndryshme nga piktorë të tjerë të njohur, këngë për Stalinin, një film i plotë dokumentar për të, albume e libra pa fund. Ndërsa vetë diktoatri shkroi një libër, “Me Stalinin”, edhe pse e takoi vetëm dy herë në jetë. Enver Hoxha ishte i marrosur pas Stalinit.  Ndërtoi edhe një muze për Stalinin, aty ku sot është rezidenca e ambasadorit italian. Ai të vriste po t’ia shaje Stalinin, ndërtoi një kult aq të fuqishëm, pas të cilit u mbështet edhe vetë fort. Sipas tij, “Partia e Punës e Shqipërisë, komunistët shqiptarë, mbarë populli ynë kishin te J. V Stalini mikun e tyre të ngushtë e të shtrenjtë. Në vitet e stuhishme të Luftës Antifashiste Nacional çlirimtare partizanët tanë trima binin në fushën e betejës me emrin e Stalinit në gojë...”

Koha tregoi se sado gjatë të vazhdojë një regjim, një ditë do të bjerë dhe kur ra regjimi diktatorial i Tiranës, u pa qartë se e gjitha kjo kishte qenjë një butafori, sepse ai që deri dje paraqitej më shumë se një hyjni në lartësinë qiellore, nuk kishte qenë kurrë miku ynë, apo mbështetësi e udhëheqësi i popullit shqiptar, por veçse një diktator  çmendur  dhe i mjerë.

 

Të fundit