Flash News

KRYESORE

Erion Veliaj nënshtron ministrat e Qeverisë, Edi Rama i detyruar t’i japë miratimin

Erion Veliaj nënshtron ministrat e Qeverisë, Edi Rama i detyruar

Më 28 prill, Politiko.al raportoi se kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, kishte hyrë në ‘kostumin’ e Ditmir Bushatit dhe njësoj si të mbante rolin e ministrit të Jashtëm, u takua në Dublin të Irlandës me Simon Coveney, ministër i Jashtëm i këtij shteti.

Veliaj bisedoi me Coveney për procesin integrues dhe hapjen e negociatave për Shqipërinë.

Kjo sjellje e zyrtarit lokal duket se e ka mbështetjen në Qeveri, pikërisht te kryeministri Edi Rama, pasi Veliaj nuk po e heq kostumin e diplomatit.

Erion Veliaj ka qenë së fundmi në Holandë dhe bashkia e Tiranës e prezanton si kryetar të delegacionit shqiptar, pjesë e së cilit ishin edhe dy ministrat, Fatmir Xhafaj dhe Etilda Gjonaj.

“Në vijim të vizitës së tij dy ditore në Hollandë, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i shoqëruar edhe nga Ministri i Punëve të Brendshme, Fatmir Xhafaj dhe Ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj, u prit dje në një takim të veçantë nga kryetari i Bashkisë së Roterdanimit, Ahmed Aboutaleb. Në takimin ku morën pjesë edhe zyrtarë të tjerë të lartë të institucioneve ligjzbatuese holandeze, u fol për procesin e integrimit dhe rritjen e bashkëpunimit mes Bashkisë së Roterdamit dhe asaj të Tiranës në projekte konkrete. Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj tha se qëllimi i këtij takimi ishte gjithashtu prezantimi te autoritetet holandeze i Shqipërisë europiane dhe reformave që ajo ka ndërmarrë, për të merituar hapjen e bisedimet për anëtarësimin në BE”, thuhet në njoftimin e bashkisë.

Protokolli e kërkon që kryetar i delegacionit të jetë zyrtari me postin më të rëndësishëm dhe më të lartë në hierarkinë e shtetit, pra njëri prej dy ministrave dhe jo kryetari i një bashkie.

I gjendur në një situatë të vëshitrë për shkak të skandaleve të shumta, kryeministri Edi Rama mesa duket është i detyruar të pranojë këtë rol të madh protagonizmi të Veliajt dhe nënshtrimin para tij të ministrave. Në një kohë kur një ish-ministër i Brendshëm ndodhet në ‘arrest shtëpie’ pasi dyshohet për trafik droge, ndërkohë që opozita kërkon shkarkimin e ministrit aktual të Brendshëm, i cili ka fshehur dënimin e vëllait të tij në Itali, po për trafik droge,  rrethi i figurave të pastra në kabinetin e Ramës është ngushtuar shumë.

Edhe ndaj Erion Veliajt nuk mungojnë akuzat për përfshirje në skandale, siç është rasti i vdekjes së Ardit Gjoklajt në landfillin e Sharrës, por lajmet e sponsorizua në media si ‘The Economist’ kanë arritur të japin efekt që figurën e kryebashkiakut të Tiranës ta mbajnë ‘të pastër’ të paktën jashtë kufijve të Shqipërisë dhe Kosovës.

Të fundit