Flash News

KRYESORE

“Eskobari Ballkanit”, Klement Balili: Ambasada amerikane është ndikuar nga politika shqiptare

“Eskobari Ballkanit”, Klement Balili: Ambasada amerikane

Klement Balili ka treguar në intervistën për gazetarin Artan Hoxha, e cila u transmetua në emisionin "Repolitix" se ishin familjarët e tij ata të cilët kontaktuan me policinë për dorëzimin e tij.

“Pjesëtarët e shtëpisë kanë kontaktuar me policinë dhe i kanë thënë në datën 15 të vijnë të më marrin në shtëpi”, u shpreh Balili, por një gjë e tillë nuk ndodhi pasi dorëzimi u bë në një zonë mes Sarandës dhe fshatit Stjar.

Sa i takon hetimeve ndaj tij në Greqi, Balili është shprehur se çështja është ende në proces dhe se akuzave e vetme ndaj tij, është ajo e personit të dyshuar për trafikun e rreth 600 kg kanabis të sekuestruar në Greqi.

Sa i takon deklaratave të ambasadës amerikane ai i ka cilësuar ato si të ndikuara nga politika shqiptare.

“Çështja është në proces gjyqësor në Greqi.

Ambasada amerikane është ndikuar nga politika shqiptare.

Unë akuzohem për 600 kg hashash të kapura dhe jam i dyshuar”, deklaroi Balili.

Ai ka treguar gjithashtu se nuk ka qenë në Greqi prej vitesh ndërsa me personat e arrestuar nuk ka pasur kontakte.

“Nuk kam pasur asnjë biznes në Greqi. Kam 5-6 vjet pa shkel në Greqi, që në 2011-ën”, tha Balili.

Pjesë nga intervista

Kur vendosët që të dorëzoheshit? Si i vendosët kontaktet me policinë, në ç’formë? Tani që po flisni ju jeni ende i lirë, pra si kontaktuat me policinë?

Pjesëtarët e familjes kanë kontaktuar me policinë dhe i kanë thënë që në datën 15, që i bie nesër, të vijnë e të më marrin në shtëpi. Dhe unë jam paraqitur sot në shtëpi që nesër t’i dorëzohem policisë.

Nuk mendoni që në momentin që do të dorëzoheni, mund të fillojnë përsëri akuzat që janë bërë kundër jush?

Në momentin që kanë ardhur provat, unë iu paraqita drejtësisë. Se çfarë provash janë, se çfarë akuzash janë do t’i tregojë drejtësia.

A jeni në dijeni që në adresën tuaj ka një vendim në Greqi, që jeni dënuar me burgim të përjetshëm në Greqi?

Jo, jo. Greqia nuk ka burgim të përjetshëm për hashash dhe unë nuk jam i dënuar.

Pse jeni i sigurt që nuk jeni dënuar?

Sepse kam një avokat për çështjen time që më ka mbrojtur.

Avokat shqiptar apo grek?

Grek.

Sepse ambasadori amerikan Lu ka deklaruar ...

Çështja vazhdon që të jetë në proces gjyqësor në Greqi, nuk ka mbaruar.

Pra ju jeni i bindur që deri tani nuk ka dënim ndaj jush nga pala greke?

Çështja është në procese gjyqësore.

Gjatë kësaj kohe, ju keni qenë njeriu më i akuzuar në Shqipëri. Dhe për më tepër nofka “Eskobari i Ballkanit” ka bërë që emri juaj të ishte në krye të listës së personave më të kërkuar në Republikën e Shqipërisë.

Ajo dihet që ishte politizuar.

Por ajo që i dha më tepër peshë akuzave kundër jush ka qenë pikërisht përmendja e emrit tuaj nga ambasada amerikane...

Ambasada është ndikuar nga politika shqiptare, që më ka bërë këtë sepse unë nuk kam lidhje as me DEA-n siç më akuzon DEA, dhe as me ambasadën, se unë akuzohem për 600 kg hashash të kapura në Zakintho i dyshuar.

A e dini ju që për 2 vite e gjysmë keni qenë njeri shumë i kërkuar edhe për agjencinë amerikane të antidrogës DEA?

Po, kam dëgjuar dhe ky ka qenë shkaku që unë nuk jam dorëzuar sepse këtu u bë një bujë shumë e madhe dhe u politizua shumë. Dhe normale, si mund të dorëzohesha unë kur më akuzon si “Eskobar” për 600 kg hashash?

Gjatë kësaj kohe keni marrë ndonjë informacion përse është përfshirë emri juaj në gjithë këtë histori, sepse ju pretendoni sot që në asnjë rast nuk jeni përfshirë në trafik të drogave të forta, që zakonisht janë elementët që heton DEA amerikane.

As që bëhet fjalë fare.

Atëherë, si është e mundur që është përfshirë emri juaj?

Nuk e di. Politika, ndoshta. Nuk e di këtë se si është bërë.

Nga aq sa keni kontaktuar me avokatët tuaj në Shqipëri dhe në Greqi, për çfarë episodesh jeni nën akuzë në Greqi?

Për hashash, për punën e Zakinthos.

Për ngarkesën me 600 kg kanabis.

Po.

Ju jeni akuzuar si organizator dhe financues dhe po ashtu si përgatitës i infrastrukturës dhe i logjistikës për trafikun ndërkombëtar të lëndëve narkotike, përfshirë një seri vendesh të Bashkimit Evropian, duke filluar nga Holanda, Belgjika, Gjermania, Austria, Italia, Bullgaria.

Unë nuk kam shkelur ndonjëherë në asnjë nga këto shtete që përmenden dhe nuk kam lidhje me asnjë nga akuzat që kanë nxjerrë. Edhe në përgjimet e bisedave që diskutohet se janë në dokumentacion, unë nuk figuroj. Këto janë dokumente që mund t’i hetoni dhe t’i verifikoni në dosje.

Në deklaratën që policia e Athinës ka bërë në datën 10 maj të vitit 2016, thuhet që ju keni bashkëpunuar me vëllezërit Poti, nga Kukësi, të arrestuar në Belgjikë. A i njihni këta persona?

As që i kam dëgjuar ndonjëherë. As i kam parë dhe as i kam dëgjuar ndonjëherë. Nuk më ka lidhur ndonjëherë puna që t’i njoh këta persona.

Të kthehemi tek akuza që është bërë për rastin e Zaqithos. Aty thuhet që identifikimi juaj është bërë nëpërmjet numrit të serisë së një pasaporte. Çfarë ka ndodhur?

Si mund të nis unë pasaportën time? Përse do ta nisja? Në qoftë se isha unë ai, për çfarë arsyeje do të nisja pasaportën? Është shumë e thjeshtë, shumë e logjikshme.

Keni kontaktuar atë ditë me personin, i cili bënte transportin sepse në dosje thuhet që ju keni fikur telefonin sapo keni marrë vesh që diçka nuk shkonte.

Jo, jo. Nuk është e saktë.

E njihni ju personin i cili është ndaluar në Greqi?

Këtë të Sarandës e njoh se ja ku është Saranda dhe ka popullsi të vogël, por thjesht si fytyrë. Kontakte nuk kam.

Në çfarë rrethanash jeni njohur?

Në asnjë rrethanë, nuk kam fare asnjë lidhje. Nuk kam kontakt me anjë nga ata persona.

 Në rastin konkret, numri telefonik të cilin policia greke pretendon që është përdorur nga ju, është i juaji apo jo?

Jo. Le ta faktojnë. Unë nuk kam fare kontakt me atë lloj numri që më akuzojnë, nuk kam lidhje fare.

Autoritetet greke janë të bindura që skafi, ngarkesa dhe skafisti atë ditë, kanë qenë duke bërë trafik për llogarinë tuaj.

Për të vërtetuar këtë duhen prova.

Pse jeni i bindur ju që nuk ka prova.

E di që nuk kanë sepse di veten, njoh veten që nuk kam lidhje me atë punë dhe me atë grup. Kjo është krejt normale, si të mos jem i bindur. Unë e di veten se çfarë kam bërë.

Deri në atë moment, ju me çfarë aktiviteti jeni marrë në Greqi? Keni pasur biznes atje?

Jo. Asnjë biznes në Greqi.

Keni shkuar në Greqi?

Më parë, ka 5-6 vite, që në 2011-ën. Më pas nuk kam shkelur në Greqi.

Të fundit