Flash News

KRYESORE

Evropa dhe SHBA përplasen për Iranin, deputeti i PD: Shqipëria të mbështesë Trump; nuk jemi pjesë e BE-së

Evropa dhe SHBA përplasen për Iranin, deputeti i PD: Shqipëria

Përfaqësuesja për Politikën e Jashtme të BE-së, Federica Mogherini ka kritikuar SHBA-të pas vendimit për t’u tërhequr nga marrëveshja bërthamore me Iranin. Kritika të ashpra kanë ardhur edhe nga Gjermania, Franca dhe Britania e Madhe, të cilat e kanë akuzuar Donald Trump për shkelje të besimit në rendin ndërkombëtar.

Turqia dhe Rusia janë shprehur gjithashtu kundër vendimit të presidentit amerikan.

Në këtë situatë, Shqipëria pritet të përfshihet si shtet anëtar i NATO-s, por ajo që është më e rëndësishme si shtet që strehon opozitën muxhahedine të Iranit.

Deputeti i Partisë Demokratike, Tritan Shehu ka kërkuar që Tirana të pozicionohet për këtë çështje në krah të SHBA-së.

Shehu theksoi në intervistën për ‘News 24’ se qëndrimi i Shqipërisë duhet të jetë pro SHBA-ve duke e argumentuar qëndrimin e tij, për të cilin thotë se është zyrtarisht edhe i PD-së. Ish-ministri i Jashtëm tha se asnjë çështje botërore sigurie nuk mund të zgjidhet pa SHBA-të.

Deputeti demokrat deklaron se Shqipëria nuk duhet të përsërisë gabimin e bërë me rezolutat në OKB, ndërsa kujtoi se vendi ynë nuk është ende anëtar i Bashkimit Evropian dhe se unioni nuk ka një qëndrim të përbashkët për këtë çështje.

Të flasim për vendimin e presidentit amerikan Donald Trump për të anuluar marrëveshjen për armët bërthamore me Iranin, ju thatë se vendi ynë duhet ta mbështeste këtë vendim. Pse?

Shiko, parimi universal i joni, i Shqipërisë është i qartë. Ne jemi një vend i vogël, nuk jemi as Gjermania, as Franca, as Turqia, as Britania që të kemi interesa të mëdha gjeo-politike në botë. Interesat tona janë në rajonin e Ballkanit Perëndimor dhe roli jonë që mund të luajmë është vetëm në rajonin e Ballkanit Perëndimor. Nuk duhet të kemi iluzione. Nuk luajmë dot rol ne në Lindjen e Mesme, Lindjen e largët. Ne nuk kemi interesa aty dhe as mund të luajmë role aty. Interesat tona janë të vendosura në Ballkanin Perëndimor ku edhe mund të kemi një rol realisht stabilizues që e kemi luajtur përgjithësisht megjithëse kohët e fundit është thyer.

Problemet e sigurisë që lidhen me çështje të mëdha botërore, ne duhet të ndjekim hap pas hapi SHBA-të. Kjo është deviza e PD-së dhe unë flas zyrtarisht në emër të PD-së. E kemi theksuar edhe në parlament këtë gjë. Në çështjet e sigurisë ne ndjekim SHBA-të. Për disa arsye. Asnjë çështje botërore sigurie nuk mund të zgjidhet pa SHBA-të, mos të ketë iluzione askush. Garanti kryesor në botë për vlerat e demokracisë, lirisë, stabilitetit, paqes në botë janë SHBA-të. Mbështetësi i madh i joni në të gjitha proceset tona, të mrekullueshme që kanë pasur shqiptarët këtë kohë, lirimi i Kosovës, shqiptarët në Maqedoni, shqiptarët në Mal të Zi, anëtarësimi i Shqipërisë në NATO, zhvillimi i Shqipërisë, lidhen kryekëput me SHBA-të.

Pra, neve absolutisht e kemi për detyrë të ndjekim SHBA-të në problemet gjeopolitike, në problemet e sigurisë dhe këtu nuk duhet të kemi asnjë iluzion, asnjë lëkundje dhe asnjë gabim, siç bëmë për shembull në dhjetor kur ne duke miratuar dy rezoluta kundër SHBA-ve, një në konferencën islamike, ishte shumë e egër dhe një në Asamblenë e Kombeve të Bashkuara, edhe ajo godiste rolin e SHBA-ve ne bëmë dy gabime të mëdha fatale.

Ne si PD kërkuam të korrigjoheshim dhe paraqitëm një rezolutë në parlament, fatkeqësisht maxhoranca nuk pranoi ta miratonte rezolutën tonë duke qëndruar peng i gabimeve të saj. Është një moment tani që qeveria, maxhoranca të prononcohet për këtë gjë për të treguar që ka kuptuar nga gabimet e së kaluarës dhe që është e vendosur të ndjekë SHBA-të për çështjet e sigurisë. Problemi i marrëveshjes me Iranin është një problem shumë i rëndësishëm sigurie që kalon krejtësisht dimensionet tona, mundësitë tona, rolin tonë, interesat tona të veçanta.

Pra, është një pikë që ne duhet të ndjekim hap pas hapi SHBA-të. Unë e di mirë që SHBA-të e dinë mirë çfarë po bëjnë, ka ide të qarta, që po detyrojnë edhe Kim Jong un të çarmatoset. Ishte një vendim i vështirë, jo i lehtë, kompleks por SHBA-të janë të bindur se ai vendim i shërben paqes dhe stabilitetit jo vetëm në atë rajon por edhe në botë për të shkuar drejt çarmatimit të plotë dhe të sigurt dhe për të hequr rrezikun e armëve bërthamore, siç po vepron me Korenë e Veriut që duket se është afër suksesit, shpresojmë të shkojë me sukses.

Duke qëndruar pranë SHBA-ve mos vallë largohemi nga BE-ja?

Absolutisht jo. Marrim rezolutat që kaluan në dhjetor: shtatë vende të BE-së nuk votuan kundër SHBA-së, anëtarë të BE-së. Sepse nuk kishte një vendim të BE-së. Edhe tani nuk ka asnjë vendim zyrtar të BE-së, ka një prononcim të Mogherinit e kaq. Nuk është vendim i Këshillit. Aq më tepër që nuk jemi anëtar i BE-së. Shtetet europiane nuk mund të ndahen nga SHBA-të. Do jenë bashkë me SHBA-të në fund. Trump tha se ne i kemi sinkronizuar këto gjëra me aleatët tanë. Ne duhet të jemi koshientë dhe të shprehim pozicionin tonë që në çështje të sigurisë ne ndjekim vetëm SHBA-të.

Merkel kritika të ashpra Trump: Ke shkelur besimin në rendin ndërkombëtar

Të fundit